GRUPI C
Misioni pa Falcaon
14 June, 2014 @12:46
Ndeshja e parë e Grupit C të Brazilit 2014, zhvillohet sot me fillim në ora 18:00. Kolumbia dhe Greqia do t’i vihen përballë njëra-tjetrës në duelin që parashihet të jetë nisje e luftës së madhe të këtij grupi - ku s’ka favorit të madh.
Kolumbia që llogaritej si favorite nga plani i dytë në Brazili 2014, sot do t’ia nis këtij misioni pa yllin e skuadrës, Radamel Falcao, që disa ditë para Botërorit u largua nga ekipi duke mos qenë i gatshëm për shkak të lëndimit. Tashmë Kolumbia është tjetër ekip pa superyllin Falcao, por sidoqoftë grupi në fund beson në fillim të mbarë dhe pastaj edhe vazhdimin e befasisë duke besuar në shpirtin ekipor.
Kolumbia, Greqia, pastaj Bregu i Fildishtë dhe Japonia - do të luftojnë deri në minutën e fundit të ndeshjeve grupore për të përcaktuar se kush do të arrijë të shkojë përpara, e kjo nis sonte ku takohen dy shkolla dhe filozofi krejt të ndryshme ndërmjet kolumbianëve dhe helenëve.
Kolumbia pa Radamel Falcaon e lënduar është një ekip krejt tjetër, mirëpo punëtorët si Jackson Martinez dhe James Rodriguez pritet të kryejnë punë para ndeshjeve tjera të grupit.
Edhe mesfusha luftarake me Freddy Guarinin e Interit dhe Juan Cuadradon e Fiorentinës si udhëheqs nuk është aspak për tu nënçmuar, derisa grekët do të bazohen në lojën e tyre standarde.
Ata me mbrojtje të çeliktë do të kërkojnë t’i lodhin kolumbianët para se me sulmuesit me përvojë të madhe si Theo Gekas dhe Gio Samaras të shënojnë një gol - derisa vlen të ceket se nga topat e vdekur, Greqia është fatale për kundërshtarin.
Sifoqoftë, gjithçka mbetet të shihet diku pas afro 5 orëve kur fillon ndeshja që do të referohet nga trioja e Amerikës Veriore. Mark Geiger është refer kryesorë, derisa bashkëkombasi i tij, Mark Hurd dhe kanadezi Joe Fletcher do t’i rrijnë gati anëve të fushës në Belo Horizonte.