SPANJOLLËT
Të turpëruar
14 June, 2014 @12:33
Disfata e Spanjës ndaj Holandës mbrëmë ka qenë disfata më e rëndë e një kampioni në fuqi të Botës ndonjëherë.
Derisa Holanda këtë e quajti vetëm fitore dhe jo hakmarrje për finalen e humbur 4 vite më parë në Afrikën Jugore, spanjollët ndihen të poshtëruar tërësisht.
“Spanja e nisi mbrojtjen e titullit të Botës, pa mbrojtje duke u poshtëruar nga Holanda,” ka shkruar Marca në numrin e saj të sotëm.
E titulli i sportives spanjolle ishte kështu “Arreglad esto” - ose në shqip “Rregulloni këtë”.
Në anën tjetër mesfushori i Barcelonës, Xavi Hernandez, këtë disfatë e ka quajtur si më të rëndën në karrierën e tij të bujshme.
“Gjëja pozitive është se ne ende jemi në garë dhe nuk kemi humbur rrugën. Loja ka qenë e keqe. Debakël. Çdo gjë e kemi bërë keq. Goli i tyre na lëndoi. Tashmë, me padurim presim të përmirësohemi për ndeshjen e radhës dhe të vazhdojmë rrugën tonë braziliane,” është cituar të ketë thënë Xavi për mediat spanjolle.
Holanda ka mposhtur 5-1 Spanjën në ndeshjen e parë të Grupi B kualifikues të Brazilit 2014, derisa këto dy skuadra kishin luajtur finalen e Afrikës Jugore 2010, ku Kupën e Botës e kishte ngritur Spanja me fitore në vazhdime, 1-0.