LLAPI - GJILANI
Pa fitues mes Llapit e Gjilanit
8 September, 2017 @18:26
Me barazim është mbyllur takimi i zhvilluar sot mes Llapit dhe Gjilanit në Podujevë, barazim i cili bën që seria e Llapit me 2 fitore rresht të ndalet.
Në pjesën e parë Llapi kishte më tepër posedim të topit, derisa gjilanasit rrezikuan 2 herë përmes sulmuesit Fatih Karahoda, ndërsa nga rastet e Llapit mund të përmenden goditja me kokë e Sinanit dhe një goditje e Namanit nga distanca, mirëpo goli nuk erdhi për asnjërën skuadër dhe kjo pjesë u mbyll pa gola.
Llapi golin e epërsisë e gjeti me të filluar pjesa e dytë, me Miran Maksutin që e shfrytëzoi në mënyrë të shkëlqyer krosimin zhagazi të kapitenit Namani nga krahu i djathtë. Më pas, Llapi vazhdoi ta kërkonte golin e sigurisë me disa sulme kryesisht përmes Mirlind Dakut, mirëpo ishin gjilanasit ata që e gjetën golin në cepin tjetër të fushës. Me një pranim fenomenal me kokë, Betim Haxhimusa fitoi avantazh ndaj mbrojtësit vendas dhe me qetësi shënoi për 1-1.
Në vazhdim të ndeshjes, Tahir Batatina i Llapit inkuadroi pothuajse të gjithë lojtarët e fazës ofansive në lojë, mirëpo kjo nuk mjaftoi që Llapi ta gjente golin e fitores dhe skuadrat u detyruan të pajtohen me nga 1 pikë.
Pas 3 xhirove, Llapi ka 7 pikë dhe ndodhet në vendin e dytë me pikë të barabarta me Feronikelin, derisa për Gjilanin kjo është pika e pestë e fituar sivjet.