OPINION

Parashikim sezonal i Championshipit
Shkruan: LUAN MORINA
4 August, 2017 @15:52
Vitin e kaluar, Championship kishte trajnerë me më shumë tituj të fituar të Ligës së Kampionëve se sa Serie A e Ligue 1 së bashku. Nga ata trajnerë, vetëm njëri siguroi kualifikimin në Premier League, derisa të tjerët e përfunduan sezonin para kohe.
Trajnerë ka edhe këtë vit. Trajnerë me histori dhe përvojë edhe në Premier League. Më së miri në këtë aspekt janë Aston Villa të cilët nisin sezonin me ekspertin e ngjitjeve në Premier League, Steve Bruce. Kanë shtuar edhe John Terryn si lider, derisa kanë larguar disa teprica të panevojshme si Cissokho e Kozak. Bazohen kryesisht në lojtarë që tashmë kanë pasur sezonin e kaluar, me besimin që mund të bëjnë diçka më të mirë. Fatkeqësisht do të mungoj përsëri Grealish, për disa muaj.
Favoriti kryesor për të fituar këtë sezon për mendimin tim është Middlesbrough. Boro ka marrë Gary Monkun i cili kishte këndellur Leedsin e Massimo Cellinos, si dhe ka kryer disa transferime të mençura, sidomos në fazën e sulmit. Ndërkohë Leeds ka provuar të shtoj përvojë duke mbajtur skeletin e sezonit të kaluar, kuptohet pa Cellinon.
Dy favoritë tjerë pas Middlesbrough duhet të jenë Sunderland dhe Hull City! Kështu do të mendonim, por Sunderland duket se po provon të zhvishet për të kaluar edhe një sezon tjetër në Championship. Nuk janë shumë agresiv në blerje, ngjashëm si Hull City. Një ekip tjetër që po ndjek të njëjtën rrugë është edhe Derby County. Kanë shitur lojtarët më të mirë, dhe pas disa sezoneve në prag të ngjitjes, duket se kanë heq dorë.
Fulham dhe Reading janë Derby i para dy sezoneve. Londinezët kanë Jokanovic si trajner, i cili bëri revolucion vitin e kaluar me Fulhamin dhe më herët ka ngjitur ekipe në Premier League. Ndërkohë sezoni i parë i Jaap Stam përfundoi vetëm pas penalltive. Holandezi ka bërë një hap fillestar goxha të madh në zejen e trajnerit. Të dy ekipet kanë bërë pak ndryshime.
Një ekip i çmendur në Championship janë ujqërit e Wolverhamptonit. Kanë shpenzuar pamend në transferime dhe atë kryesisht portugez – klient të Jorge Mendesit. Ashtu siç janë Manchester United ekip i Mino Raiolas, ashtu duket të jenë Wolves për Mendesin. Portugezi ka mbi 5 lojtarë me kontratë tek Wolves, përfshirë edhe trajnerin. Sikur kjo të mos mjaftojë, ai bën edhe rolin e konsulentit për pronarët kinez të këtij ekipi. S’mund të dyshojmë në talentin e Ruben Neves, por sa do të përshtatet ai dhe të tjerët në futbollin anglez, mbetet të shihet. Kualifikimi në Premier League? S’besoj!
Mick McCarthy, Nigel Clough (në hije të prindit akoma), Nigel Person, Neill Warnock, e mbi të gjitha Harry Redknapp tek Birmingham City. Disa nga emrat më të njohur të futbollit anglez do të jenë aty në pankina të Championship. Sigurisht që disa do të përfundojnë sezonin para kohe. Por, së paku për fillim do të jenë aty.
Këtë vit do të kemi edhe derbin e Sheffield, rënien e shumë pritur të Nottingham në League One me pronarët e ri, bashkë me Boltonin dhe QPR-në! E di që është parashikim i rëndë, por Championshipit nuk i dihet kurrë. Besoj që ka kandidatë më të denjë për të rënë nga liga.