EUROPA LEAGUE
Partizani pa shpresë, beson në lojë të mirë
24 August, 2016 @20:01
Skuadra e Partizanit ka organizuar konferencë për shtyp para ndeshjes së kthimit në Europa League, ndaj skuadrës ruse, Krasnodar.
Të kuqtë patën pësuar humbje të thellë në Rusi dhe gjasat për kualifikim i kanë minimale. Për këtë është i vetëdijshëm edhe trajneri, Adolfo Sormani, i cili tha se në ndeshjen e kthimit së paku duhet të tregojnë që janë një skuadër.
“Ndaj Krasnodarit sigurisht do të duhej një mrekulli të kualifikoheshim, por më shumë se të besojmë tek mrekullitë ne duhet të besojmë në forcën tonë, të punojmë fort pasi vetëm kështu mund të arrijmë gjëra pozitive. Nesër pres nga skuadra që të shfaqet në fushë si një skuadër e vërtetë dhe secili lojtar të luajë në shërbim të shokut të ekipit. Ndeshjen e nesërme dëshirojmë të tregojmë që jemi një skuadër dhe tifozët tanë të jenë krenar për skuadrën që mbështesin. Fakti është që luajmë ndaj një ekipi shumë cilësor, por shpresojmë që nesër të ruajmë ekuilibrat në fushë dhe të dhurojmë paraqitje pozitive siç edhe kemi bërë ndaj kundërshtarëve të tjerë në Europë. Përtej përfaqësimit në kupat e Europës synimi ynë është të rikthejmë titullin që i mungon prej 24 vitesh Partizanit. Ndiej keqardhje për largimin e Arapit pasi ishte një lojtar i cili ishte mësuar me trofe dhe taktikisht ishte tepër cilësor. Gjithsesi siç edhe e keni ndjekur, merkato jonë nuk po bëhet duke afruar lojtar me shifra marramendëse, por çdo afrim është i studiuar me kujdes nga stafi ynë,” tha Sormani në konferencën e sotme për shtyp.
Në konferencë ishte i pranishëm edhe futbollisti i Partizanit, Agustin Torassa, i cili ditë më parë rinovoi kontratën me skuadrën e tij, ndërsa më shumë u ndal për synimin kryesor të Partizanit, titullin kampion, se sa për ndeshjen e nesërme.
“Nuk mund ta mohoj. Ndjehem mjaft i kënaqur që arrita të rinovoj me Partinanin. Nëse nuk do të ndihesha mirë këtu, normalisht nuk do të firmosja edhe për një tjetër vit. Përtej takimit të nesërm mendoj se skuadra po punon fort për të synuar titullin kampion të Shqipërisë, edhe vetë personalisht e vetmja gjë që dëshiroj është të shpallem kampion me Partizanin. Sigurisht ardhja e trainerit të ri ka sjellë një tjetër mentalitet në skuadër. Ne duam të fitojmë titullin dhe besoj se ky do të jetë viti ynë,” tha Torassa.
Ndeshja Partizani-Krasnodar luhet të enjtën nga ora 19:30 në stadiumin Elbasan Arena.