ANALIZË
Pas lloçit kroat
Shkruan: Luan MORINA
4 September, 2017 @15:39
Dita e ditës, kombëtarja e Kosovës po merr një formë. Nuk është formë pjesëmarrëse në Evropian, por shkëndijat e përmirësimit sado të vogla qofshin po vërehen. Nuk ka pasur ndeshje deri tani që kemi pasur mbrojtje kaq të mirë.
Përkundër motit dhe kushteve atmosferike, mbrojtja shfaqi një siguri të paparë deri tashti. Gabimi i parë i madh u ndëshkua me gol dhe atë nga një gabim i zakonshëm në postimin e grackës së ofsajdit. Është normal një gabim i tillë për mbrojtjet e reja, por si kombëtare tashmë jemi gati dhjetë ndeshje zyrtare dhe duhet të shmangim këto gabime.
Këtë edhe po e bëjmë – po reduktojmë numrin e gabimeve. Kjo është për t’u lavdëruar falë dy risive në vijën e fundit me Jashanicën e Vojvodën. Kololli ka shfaqur aftësi që nga paraqitja e parë dhe lëndimi i tij eventual do të na hendikepoj në anën e majtë, ku Paqarada ka shumë punë për të bërë ashtu që të jetë i denjë për kombëtaren. Rrahmani ka qenë ndër më stabilët dhe është mishëruar për merak në këtë formacion.
Falë mbrojtjes më të mirë, disi më i mirë dukej edhe Samir Ujkani. Sidoqoftë, për pozitën e kapitenit besoj që do të duhej të zhvendoseshim kah mesi i fushës. Është një preferencë e imja universale që portierët të mos jenë kapiten të ekipit, pa marrë parasysh përvojën që kanë.
Ekipit tonë i vyen një lider në fushë. Një zë që drejton edhe mbrojtjen edhe sulmin. Ujkani është larg ta bëj këtë nga porta. Ky ekip më shumë se aftësi individuale ka nevojë për kohezion. Për këtë nuk mjafton Bunjaki nga banka rezervë e as Ujkani nga porta.
Alushi shumicën e ndeshjeve bashkë me Kryeziun kanë pasur një lidhje të mirë në pjesën defensive të mesfushës, lidhje që veç çka është pjekur çdo ndeshje. Vazhdojnë të jenë të mirë në mbrojtje, por kontributi i tyre në sulm nuk mund të kërkohet edhe aq shumë. Valoni është ai i cili vazhdon të lidh të dy repartet dhe ndoshta opsioni më i mirë i kapitenit.
Kontributi i tij fizik do të shoqërohej për merak me shtimin e ‘kompetencave’ për të drejtuar ekipin dhe qortuar ata që kanë nevojë për këtë – Milotin sidomos.
Miloti është i shkëlqyeshëm në kundërsulme. Por, tek Kosova duhet të jap kontribut edhe në mbrojtje, sidomos kur kemi një kundërshtar që sulmon kah krahët. Pa marrë parasysh këtë, ai po pret topa nga një ekip ku ndoshta duhet të dal në plan të parë, të kap dhe shpërndaj topa para. Ka pasur një rast të mirë në fund, por ndeshja ka 90 minuta dhe aktivizimi vetëm në minutat e fundit nuk mjafton.
Zeneli ka qenë i mirë në krahun e tij. Ndoshta edhe është përzgjedhja e Bunjakit që njëri krah i sulmit të kthehet më shumë se tjetri, duke angazhuar Zenelin më shumë në mbrojtje e Rashicën për ta ruajtur më shumë për kundërsulme, por në raste kur kundërsulmet duket të pamundura dhe është nevoja për t’u mbrojtur, duhet të ketë mobilizim total.
Muriqi me shtatlartësinë e tij ka bërë atë që kërkohet dhe pritet nga një sulmues si ai. Largimi i Muriqit, zëvendësimi i tij me Fejzullahun ka qenë gabimi fatal i kësaj ndeshjeje. Pa të, dy qendërmbrojtësit kroat kanë pasur më shumë rehati në mbrojtje dhe përparësi më të madhe në sulm ku pikërisht nga njëri prej tyre erdhi edhe goli.
Nuhiu në vend të Zenelit qe vonë dhe me një formacion të ç’ekuilibruar në ato çaste.
Në fund të fundit, një ndeshje e mirë, shpresëdhënëse. Ekipi po piqet me hapa të duhur.
Kundër Finlandës pres të shoh mbrojtjen si do të funksionoj. Pos ndonjë zëvendësimi të detyrueshëm s’do të ndryshoj asgjë në krejt formacionin. Ndoshta Rashica do të duhej të ngrohte bankën paksa, por ndoshta më vonë.