CONFEDERATIONS

REUTERS
Paulinho për finale
26 June, 2013 @23:51
Paulinho ka goditur me kokë në minutat përfundimtare të ndeshjes për të dërguar Brazilin në finale të Kupës së Konfederatave, me fitore të ngushtë 2-1 ndaj Uruguajit në Belo Horizonte sonte.
Mesfushori maestralisht u gjend në shtyllën e dytë për të fuqizuar kornerin e Neymarit, gol ky, që erdhi pas barazimit të cilin Edinson Cavani ia dha Uruguajit, pas epërsisë braziliane nga Fred.
Humbja ka qenë e rëndë për uruguajanët të cilët vajtojnë huqjen e penalltisë nga Diego Forlan në minutën e 13-të të ndeshjes.
Rezultati përfundimtar 2-1, do të thotë që Brazili do të konkurrojë për titullin e tretë me radhë të Kupës së Konfederatave në Maracana të dielën, ku do të takohet me fituesin e ndeshjes Italia-Spanja.
Fitorja e dhjetë me radhë për Brazilin në këtë garë, rekord ky i Kupës së Konfederatave, la Uruguajin që të shpresojë një herë tjetër për fitore ndaj Brazilit - gjë që nuk e kanë arritur që nga viti 2001.
Uruguaji ia nisi më mirë lojës, por huqja e penalltisë nga Forlan si dhe rasti i mirë i Cristian Rodriguezit - mbetën si dëshirë. Pas këtyrë rasteve ishte Hulk që rrezikoi për herë të parë seriozisht për kareokët, derisa Forlan rrezikoi përsëri portën e Julio Cesarit.
Neymar pas lirimit në anën e majtë gjeti portën, por Fernando Muslera e mbrojti këtë goditje, derisa më së miri në zonë u gjend sulmuesi Fred, për të dërguar tifozët e shumtë brazilian në delirium.
Nuk zgjati shumë kur Uruguaji barazoi. Me të nisur pjesa e dytë, një përzierje në mbrojtjen braziliane pas disa tentimeve uruguajane gjeti Edinson Cavanin që nuk gaboi me shut të ulët.
Sidoqoftë, një seri e zëvendësimeve braziliane dha fuqi për kareokët që futën në mbrojtje Uruguajin në dhjetë minutat e fundit të ndeshjes. Dhe, kur gjithçka dukej se do të vendosej në vazhdime ishte Paulinho, që po kërkohet me ngulm nga Tottenham, që shpiu në portë kornerin e Neymarit për të dërguar tërë Brazilin në delirium.