CARABAO CUP
Penalltitë vendosin, Muriç fiton trofeun e parë me Cityn
24 February, 2019 @20:19
Manchester City është fitues i Carabao Cup për sezonin 2018/2019!
Skuadra e drejtuar nga Pep Guardiola triumfoi me penallti ndaj Chelseat të Maurizio Sarrit, për ta fituar kështu trofeun e Kupës së Ligës.
Koha e rregullt përfundoi pa gola, ndërsa njëjtë përfunduan edhe dy vazhdimet prej 15 minutave dhe kështu fituesi u detyrua të vendosej përmes gjuajtjeve të penalltive. E në penallti, më e mirë u tregua skuadra e Cityt, e cila gaboi vetëm një herë (Sane), kurse te Chelsea gabuan dy lojtarë (Jorginho dhe Luiz).
Edhe pse kishte qenë startues i rregullt për Cityn gjatë gjithë garës, sonte Arijanet Muriçi, portieri i Kosovës, ishte në bankën rezervë, mirëpo kjo nuk e pengon atë që sonte ta marrë medaljen e parë me klubin anglez. Madje, Muriçi kishte luajtur rol vendimtar në fitoren e Cityt ndaj Leicesterit në çerekfinalen e Carabao Cup, pasi që City kaloi në gjysmëfinale falë pritjeve të Muriçit në gjuajtjet e penalltive.
Për t’u përmendur nga kjo ndeshje është edhe një ‘incident’ mes Sarrit e Kepas, trajnerit dhe portierit të Chelseat, me këtë të fundit që nuk pranonte të zëvendësohej, gjë që shkakoi ‘nervozë’ të madhe te trajneri italian. Fillimisht Kepa pësoi një lëndim që u mendua se do ta detyronte të largohej nga loja, mirëpo ai insistonte se nuk kishte nevojë për zëvendësim, përkundër faktit që trajneri i tij dëshironte ta zëvendësonte me apo pa lëndim të pësuar.
Për më tepër, shikoni videon e mëposhtme: