ISH SULMUESI

TOPSPORTI/ Lis Dorambari
Pensionohet Salihi
28 March, 2019 @21:51
Dikur ylli i kombëtares shqiptare dhe shpresa për gol, Hamdi Salihi, përmes një njoftimi në Facebook pak më parë ka bërë të ditur se ka vendosur të pensionohet nga futbolli aktiv.
Shkodrani që aktualisht luan për Neustadtin në Austri ka shkruar se ndeshja me Wacker Innsbruckun do të jetë e fundit për të [30 mars 2019].
Salihi nuk e ka quajtur këtë ditë si fund të karrierës së tij, por si një fillim të ri, pasi që ka bërë të ditur se ka mësuar dhe ka mbajtur shënime për futbollin përgjatë gjithë karrierës. E kjo, do t’i hyjë në punë një ditë.
Kujtojmë një gol të tij, kur Salihi kishte shënuar mjeshtërisht në Norvegji vite më parë për t’ia dhënë Shqipërisë fitoren e rrallë si mysafir, në fillim të dueleve kuqezi me Gianni de Biasin selektor.