AFRIM TOVËRLANI
Përkundër mungesave, ishim më dominantë dhe agresivë
18 February, 2017 @15:44
Kampioni në fuqi i Kosovës në futboll, Feronikeli, ka mbetur jashtë garës për ta fituar Kupën e Kosovës, pasi që është eliminuar nga skuadra e Llapit pas ekzekutimit të penalltive.
Trajneri i Feronikelit, Afrim Tovërlani, në intervistën e tij pas ndeshjes për kanalin transmetues televiziv, Supersport, tha se skuadra e tij kishte mundësitë e veta, por që gabimet në mbrojtje, i kushtuan me eliminim nga Kupa.
“Gjatë ndeshjes kishim momente më të mira. Kishim mundësi të krijonim diçka, por përsëri një gabim i mbrojtjes na dëmtoi. Në penalltitë Llapi ishte më i përqëndruar se na dhe i uroj fitoren,” tha “Toki”.
Më tej, ai u ndal edhe tek disa mungesa të rëndësishme që i kishte Feronikeli në këtë ndeshje, derisa edhe largimi i Mentor Zhdrellës gjatë pjesës së parë, sipas tij ndikoi në lojë.
“Me daljen e Zhdrellës na u prishën planet. Pastaj na munguan gjithashtu edhe Blerand Kurtishaj, Behar Maliqi dhe Besnik Krasniqi. Megjithatë, me sa e pashë, fizikisht ishim shumë më dominantë dhe më agresivë, por që fati kësaj here ishte në anën e Llapit, që e fitoi këtë ndeshje me penallti,” përfundoi Tovërlani.