KOMBËTARJA
Prezantohet Reja, mban konferencën e parë
17 April, 2019 @17:35
Tashmë është zyrtarizuar plotësisht!
Edi Reja është përzgjedhësi i ri i Kombëtares Shqiptare të futbollit, me trajnerin italian që u prezantua sot zyrtarisht në ambientet e Kombëtares, ndërkohë që mbajti dhe një konferencë për media.
EURO 2020 - GRUPET KUALIFIKUESE
“Jam i lumtur që kam ardhur në krye të Shqipërisë.
Mund të punoja edhe në Itali por dëshiroja një përvojë në drejtimin e kombëtareve dhe jam i lumtur që mora drejtimin e Shqipërisë. Fillimisht kontrata ime është deri në nëntor, e deri atëherë do të shohim se si shkojnë gjërat dhe do të vendosim për të ardhmen.
Kam parë që Shqipëria luan me 4 prapa, unë zakonisht preferoj 3 qendërmbrojtës, mirëpo do të shohim se si do të veprojmë. Nuk dua të ndryshoj shumë filozofinë e krijuar nga De Biazi dhe e rëndësishme është që skuadra të punojë.
Unë kam punuar edhe si vëzhgues talentësh më parë dhe jam i angazhuar që edhe të sjellë lojtarë te Shqipëria. Dua disciplinë dhe preferoj skuadra agresive, por jo gjithmonë, kjo varet edhe nga grupi.
Në përgjithësi, shpresoj të jetë një përvojë e mirë për mua dhe gjërat të ecin mirë.” - u shpreh Reja në konferencën e tij të parë për shtyp.
Testin e parë me Shqipërinë Reja do ta ketë më 8 qershor, datë në të cilën Shqipëria luan si mysafire e Islandës në kuadër të Grupit H kualifikues drejt EURO2020.