MEDIA
Qyteti i modës në krizë
8 December, 2014 @15:37
Disfata për të dy klubet e mëdha të qytetit të Milanos kanë bërë që këto ekipe të jenë temë e mediave italiane sot.
Dy gazetat më të mëdha sportive në Gadishullin Apenin (Gazzetta dello Sport dhe Corriere dello Sport) kanë shkruar në ballina për gjendjen e mjerueshme të Milanit dhe Interit.
Derisa trajneri i Rossonerëve, Filippo Inzaghi, ka kërkuar kohë për tu stabilizuar ekipi, të cilin e morri këtë stinor, ai i Neroazzurrëve ka thënë se duhet të reagohet në afatin kalimtar të janarit për të qartësuar pozitat e lojtarëve - nëse dëshirohet suksesi.
Milan u mposht nga Genoa në Luigi Ferraris, ndërsa Inter në Giuseppe Meazza nga Udinese.
Dy skuadrat, që luftonin për titull dikur, tashmë në gjendje të mjerueshme kërkojnë zgjidhje të ndryshme për shpëtim.
Muaj më parë, drejtori i Milanit, Adriano Galliani, kishte thënë se bashkimi i dy skuadrave në një do të kishte shpëtuar qytetin, derisa kjo do të ishte mënyra e vetme që milanezët të përballen me gjigandët e futbollit europian sot.
Pas 14 xhirove në Serie A, Milan gjindet në pozitën e shtatë të tabelës, me 3 humbje e 6 barazime në llogari, derisa Inter, që tre xhiro më parë zëvendësoi Walter Mazzarin me Roberto Mancinin, është edhe më keq.
Inter gjindet në pozitën e 12-të të klasifikimit, me 5 humbje e 5 barazime në llogari. Mancini, ende nuk ka shijuar fitoren me ekipin, që vite më parë e kishte bërë kampion.