(B)ANALIZË
Radha për Kosovën!
Shkruan: Luan MORINA
16 August, 2016 @13:01
E drejta për tu shprehur lirshëm është e garantuar me ligj. Por, kjo e drejtë shpesh di të devijoj nga një pjesë e konsiderueshme e njerëzve duke kaluar në ofendime e sharje. Ky shkrim, edhe pse deri në një masë banalizim, nuk është i tillë, nuk është sharje!
Në kohën e Rraklit, Vatave, Kushtës, Tares, Kolës e të tjerëve, Shqipëria ishte e renditur 116-ta në Botë, e gjente veten gjithnjë në vazon e fundit, edhe humbiste pikë e lojë nga ekipe si Armenia e Gjeorgjia që posa kishin fituar pavarësinë. Për shkak të trazirave të 97-tës, ndeshjet e kombëtares në Cyrih shiheshin nga rreth 2000 shikues në një stadium me 20 mijë ulëse.
Në të njëjtën kohë, Kozniku, Shala, Muriqi, Prekazi e shumë të tjerë migronin anekënd botës derisa po shuhej një gjeneratë e artë e futbollistëve nga Kosova.
Pak vite më vonë, Lorik Cana bënte karrierë në ekipin më me renome në Francë, duke qenë ndër mbrojtësit më të mirë në atë kampionat, derisa në ekipin kombëtar qëndronte në stol, pasi nuk kishte vend para kapitenit (Skela) të kombëtares që në atë nuk kishte as ekip.
Cana bëri çfarë bëri, arriti të bëhet më shumë se një kapiten, arriti të bëhet një lider shpirtëror i kombëtares. Dashuria e tij ndaj kombëtares, përkushtimi i tij në fushë, shpirti i tij luftarak sikur turpëroi tjerët të cilët më në fund ia nisën të lëviznin buzët kur ishte radha e himnit.
Dashuria e Canës për kombëtare nuk mund të kalohet nga asnjë futbollist që ka luajtur për Shqipërinë këto 25 vitet e fundit, sa i përcjelli unë.
Loriku ka nisur karrierën në Dardania të Lozanës dhe pjesa tjetër është histori. Ngjashëm si në Lorikun, kontributi i Shqipërisë edhe në futbollistët tjerë kosovarë të kombëtares ka qenë zero. Ata janë formësuar si futbollistë, janë zhvilluar e kanë mbërritur këtu ku janë vetvetiu, me ndihmën e ekipit dhe familjes.
Ata që janë rrit në Perëndim kanë pasur kushte më të mira dhe ndoshta s’kanë pasur nevojë për me kontribuu Shqipëria. Por, këta që janë rrit në Kosovë, para e pas lufte, s’kanë pasur asgjë. Topa katërsh dhe kinezka! Edhe atë prej parave që u ka dërgu dikush prej jashtë. Kanë luajtur futboll nëpër fusha, te shkolla, pa dikë që t’i mësojë si të stërviten e të mësojnë futbollin. Në vend që të ketë kampe futbolli të FSHF-së, skaut që kërkojnë talentë në fusha, ata kanë pasur ndonjë kalimtar të rastit që ka ndier keqardhje kur ka pa talentin dhe dashurinë e tyre për futbollin.
Shkurt e shqip, Shqipëria s’ka kontribuar asgjë në krijimin e futbollistëve kosovarë. Me këtë, nuk ka asnjë të drejtë të kërkoj shërbimet e tyre. Identiteti kombëtar dhe flamuri nuk kanë ble as topa e as patika! Për më tepër tash kemi një kombëtare që me krejt problemet që i kemi pasur, me luftë, me periudhë të rëndë të pasluftës akoma po mbijetojmë. Edhe ajo ka nevojë për ndihmën tonë.
Është e vërtetë që kemi pasur gjithmonë një dashuri të veçantë, për një vend abstrakt në kohët e para-luftës, për Shqipërinë. Ka qenë diçka që e kemi mësuar nga librat shkollorë, më shumë se nga dy orët e programit satelitor shqip. Ka qenë ëndërr, dhe pas luftës e bëmë realitet duke e fshirë nga abstraktiteti. Kemi bërë tifo, i kemi përkrah nga larg e brenda, përkundër krejt problemeve. I kemi ngrit aty ku janë tashti. Dhe kjo krejt falë futbollistëve e tifozëve kosovar! Thjeshtë, pa Kosovën kjo kombëtare shqiptare s’do të ishte ajo që u bë!
Në vend se të ndihmojnë, po shajnë edhe ato pak që kemi. Jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë. Përzgjedhja për të luajtur për Kosovën është gjëja më normale në botë për dikë të lindur e me prejardhje nga Kosova.
Mohues të shtetit të Kosovës, të reprezentacionit të Kosovës, kemi me bollëk. Mbi 100 vende anembanë botës dhe miliona serbë që mohojnë ekzistencën tonë. Nuk ka më keq kur këtyre ju bashkohen edhe ajo pjesë e kosovarëve.
Miloti, Albani, e të tjerët janë patriotët më të mëdhenj sot. Ata po nisin një Kosovë të denjë për të luftuar në arenën ndërkombëtare. Nuk do të jetë lehtë, do të ketë shumë probleme, por së paku jo nga brenda. Së paku jo nga vet ne. Kjo kombëtare e Kosovës, këta djem meritojnë përkrahje pa rezervë. Duhet një mobilizim mbarëkombëtar për ta përkrahur këtë përfaqësuese.
Tash e ka radhën Kosova!