ZEKIRIJA RAMADANI
Ramadani: “Asgjë përveç fitores”
3 July, 2017 @22:19
Trajneri i Trepçës ‘89, Zekirija Ramadani, është shprehur entuziast për rezultat pozitiv në ndeshjen e nesërme kundër skuadrës nga Ishujt Faroe, Vikingur, ku skuadrës së tij i nevojitet fitorja për të siguruar kualifikimin në rrethin e dytë të kualifikimeve për Ligën e Kampionëve.
Ramadani në deklaratën e tij gjatë konferencës për shtyp, tha se do të luajnë për fitore dhe përkrahja e tifozëve do të jetë shtytje shtesë për ta, derisa në rast të rezultatit negativ, përgjegjësinë do ta marr për vete.
“Kemi harxhuar shumë energji ne si staf për t’i lënë emocionet në ndeshjen e parë. Ka pasur emocione, mirëpo ne duhet të dalim në fushë sikur luajmë 10 vjet në këto gara. Kemi informata se do ketë shumë tifozë dhe unë mendoj se tani me tifozët që do vinë, mund të jetë gjithçka në favorin tonë, asgjë të mos jetë në disfavorin tonë. Nuk do e fillojmë ndeshjen që sa më shpejtë ta shënojmë golin, por do e fillojmë me qetësi dhe goli mund të vie edhe në minutat e fundit. Fitore asgjë tjetër s’mund të parashikoj, sepse nuk jam ndonjë prognozer i madh. Kam vetëbesim dhe besim tek futbollistët e mi, nesër do e bëjnë maksimumin dhe iu kam thënë sa herë, në çdo rezultat negativ, vetëm unë jam fajtori dhe unë marr përgjegjësi maksimale,” tha ai, shkruan Kosova Press.