NGA KONFERENCA
Ramadani: Me përkrahje nga “Plisat” do të kemi forcë shtytëse
19 July, 2021 @20:14
Trajneri i Prishtinës, Zekirija Ramadani, në konferencë për shtyp para ndeshjes së nesërme të ekipit të tij ka thënë se vetë ardhja e “Plisave” në stadium do të jetë forcë shtytëse për skuadrën.
“Konsideroj se jemi më të mirë, kemi kualitet më shumë, pa e favorizuar Prishtinën, ne këtë aspekt jemi shumë më të barabartë se sa rivali i kaluar. Por, ne cilësitë tona duhet t’i shfaqim në fushë. Befasi do ta konsideroja eliminimin nga kampioni i San Marinos apo Andorrës, sepse futbolli sjell gjithçka dhe në rast dështimit të kalimit të raundit, aty ku e kemi synim, përgjegjësinë do ta marr unë, por duke i njohur futbollistët e mi e di që një gjë të tillë nuk do ta lejojnë,” ka thënë Ramadani.
Ndërsa duke pasur parasysh se dyert e stadiumit do të jenë të hapura dhe do të kenë përkrahjen e tifozëve, ai ka thënë se kjo do të jetë ndihmë për skuadrën.
“Patjetër që do e të jetë ndjesi e veçantë prezenca e shikuesve. Pa pasur fare adhurues tanë në Budapest ishte ndjesi tjetër, lëre më tani para publikut tonë. E nga Plisat, si grupet më të organizuara shqiptare, do të kemi përkrahje maksimale dhe për ne do të jenë forcë shtyse nga ta. Normalisht prezent do të kemi edhe adhuruesit tjerë të klubit që në çdo mënyrë do të provojnë të na ndihmojnë. E di që kemi nesër festë fetare dhe duam që me rezultat të favorshëm, pra me fitore, të ua urojmë të gjithëve dhe tua bëjmë edhe më madhështore festën. Thjesht, me përkrahjen e publikut edhe ne do të jemi krejtësisht më ndryshe”.
Prishtina nesër prej orës 18:00 në Fadil Vokrri ka ndeshjen e parë të raundit të dytë kualifikues të Ligës së Konferencës ndaj uellsianëve të Connahs Quay Nomads.