LOS BLANCOS

REUTERS
Reali mposht Valencian luftarake
22 December, 2013 @23:01
Valencia e cila në Mestalla shpresonte të nxjerrë ndonjë pikë nga Real Madridi, ishte afër kësaj, por nuk e arriti në fund.
E tëra kjo pasi që lakuriqët kishin ndeshjen e parë me trajnerin e ri të tyre, Nico Estevez, i cili e zëvendësoi të përjashtuarin Miroslav Djukic nga Serbia.
Sidoqoftë, Reali është Real dhe këtë e tregoi në dhjetëminutëshin e fundit kur me anë të zëvendësuesit Jese Rodriguez (82’) arriti te goli i fitores, për rezultatin përfundimtar të ndeshjes 2-3 në të mirë të ekipit të Carlo Ancelottit.
Angel Di Maria ka qenë në formë të mirë sot, pasi përveç që shënoi golin e parë (28’), asistoi edhe te i dyti i Real Madridit, që u shënua nga Cristiano Ronaldo (40’).
Valencia dy herë ka arritur të barazojë në Mestalla sonte. Së pari Pablo Piatti (34’) barazoi 1-1, e pastaj edhe Jeremy Mathieu (62’)e bëri 2-2, por ky doli të jetë në fund, maksimumi i Valencias.
Me këtë fitore Real Madrid vazhdon të ndjek dyshen kryesuese Barcelona dhe Atletico Madrid, që janë 5 pikë para los blancosve.
Rezultatet dhe tabela aktuale.