VAN GAAL
Refuzuan penalltinë e parë
10 July, 2014 @10:23
Shumëkush ka pritur që strategu holandez, Louis Van Gaal të përdorë mbrëmë taktikën e njejtë sikurse ndaj Kosta Rikës në çerekfinale.
Van Gaal kishte ndëruar portierin Jesper Cillessen me Tim Krulin në minutën e fundit të vazhdimeve, ku ky i fundit arriti t’i mbrojë dy penallti për të çuar Holandën në gjysmëfinale.
E mbrëmë një gjë e tillë nuk ndodhi, pasi që ai kishte shfrytëzuar të tre ndërrimet.
“Isha i detyruar ta zëvendësoja Robin Van Persien me Klas Jan Huntelaarin, pasi që Van Persien nuk e mbanin këmbët më. Po të kisha mundësinë - natyrisht që do ta fusja në lojë Krulin,” është cituar të ketë thënë Van Gaal pas disfatës në gjysmëfinale.
Ai gjithashtu ka treguar se pse përzgjedhja e penalltisë së parë iu besua qendërmbrojtësit Ron Vlaar - që dështoi të shënonte më vonë.
“Asnjëri nuk e morri përgjegjësinë. Para Vlaarit dy të tjerë i kisha në listë, por nuk pranuan të shutojnë penalltinë e parë,” ka theksuar trajneri i ri i Manchester Unitedit.
Holanda pas një Botërori me paraqitje shumë të mirë, do të luajë ndeshjen për vendin e tretë në “Brazili 2014” ndaj nikoqirëve të shtunën më 12 korrik.