PAS FITORES
Reja: Do t’i përdor 20 lojtarë në këto duele, ndaj Anglisë dalim ndryshe
25 March, 2021 @23:41
Përzgjedhësi i kombëtares shqiptare, Edy Reja, ka qenë i kënaqur me rezultatin e ndeshjes dhe pikët e fituara, ndërsa ka thënë se pjesa e parë dhe aksionet e bëra aty i kanë lënë mbresë, porse do të duhej të konkretizoheshin rastet shumë-shumë më heret.
“Isha shumë i kënaqur në pjesën e parë se bëmë aksione të bukura, mund të konkretizonim që pjesën e parë. Në pjesën e dytë vuajtëm pak, na u deshën 15 minuta që të merrnim veten. Andorra është skuadër e vështirë, që të bën presing. Do të duhet të jemi të kënaqur me këto 3 pikë, në një moment të vështirë. Do isha i kënaqur me 2-0, por dhe 1-0 është mirë. Janë 3 pikë të rëndësishme. Duhet të shikojmë përpara me besim,” ka thënë Reja menjëherë pas ndeshjes.
Ai ka shtuar se në 3 përballjet e marsit do t’i përdor së paku 20 lojtarë nga të ftuarit.
“Kemi luajtur me 5 lojtarë në fazën sulmues. Do të kërkoj të shfrytëzoj në maksimum këtë grup që kemi. Do t’i japim hapësirë dhe të rinjve, kalendari është i ngjeshur, duhet të përdor të paktën 20 lojtarë në këto 3 ndeshje. Mes tyre do të shohim nëse do të dalim elementë të rëndësishëm që mund të na japin një dorë në të ardhmen,” ka shtuar ai.
Sa i përket duelit të radhës ndaj Anglisë ai ka thënë se aty do të ketë plan tjetër.
“Në mbrojtje nuk u kursyem, shyqyr që ata nuk u kursyen. Të 3 mbrojtësit bënë një ndeshje shumë të mirë. Kur luhet çdo 3 ditë, edhe mund të kursehet diçka, sidomos kur ke Anglinë përballë. Sa i përket asaj, nuk do të gjejmë më kundërshtarë që luajnë mbyllur dhe shpresojmë që të bëjmë sa më mirë në duelin e radhës,” ka thënë ndër të tjera ai.