CHAMPIONS LEAGUE
Rivali i Prishtinës, në syrin e bardhekaltërve
Teksti: Prishtina FC
30 June, 2021 @14:09
Prishtina asnjëherë nuk është takuar në gara ndërkombëtare me skuadër më të madhe se Ferencvaros
Ju prezantojmë skuadrën e tre finaleve të kompeticioneve të mëdha dhe njëherë fituese e tyre, 32 herë kampionët e Hungarisë, Ferencvarosh
Rivali i Prishtinës i raundit të parë të UEFA Champions League, Ferencvaros apo Fradi, siç e quajnë tifozët e saj, është skuadra më e madhe hungareze dhe jo vetëm. “Shqiponjat e gjelbra” janë ndër skuadrat më të suksesshme të Evropës së Mesme. Fitues të “Inter-Cities Fairs Cup”, paraardhëse e UEFA Kupës, në vitin 1965 duke e mposhtur në finale Juventusin e madh në Torino (1-0). Gati për ta përsëritur suksesin e madh ishin po në të njëjtin kompeticion edhe më 1968 kur ishin mposhtur nga Leeds United, kurse arritën deri në finale të Kupës së Kupave edhe në vitin 1975 kur u mposhtën nga Dinamo Kiev.
Skuadra e themeluar para 122 vitesh në të quajturin “Distriktin 9” të Budapestit, janë skuadra më e trofeshme hungareze, si në garat vendore, po ashtu edhe ato ndërkombëtare. Kanë fituar 32 tituj kampion, 23 Kupa të Hungarisë dhe kanë qenë pjesëmarrëse në grupet e UEFA Europa League në edicionin 2019/20 dhe në Champions League në edicionin e fundit, 2020/21.
Kanë arritur 209 ndeshje ndërkombëtare me 95 fitore, 51 barazime dhe 63 humbje me goldallim +72, 323:251.
Një fakt interesant është se skuadra e Ferencvarosit ka bilanc të barabartë me skuadrat shqiptare, ka zhvilluar katër ndeshje, me Partizanin dhe Tiranën, nga dy me secilën duk arritur dy barazime dhe eliminim nga të “Kuqtë” e Tiranës dhe një fitore e një humbje me Tiranën, megjithëse kishin kaluar tutje.
Në “transfermarkt”, vlejnë afër 40 milionë euro, kurse lojtari më i shtrenjtë konsiderohet anëtari i Kombëtares së Shqipërisë, Myrto Uzuni me 3 milionë euro. Uzuni ishte blerë nga Lokomotiva e Zagrebit me 1.8 milionë euro. Po ashtu, anësori shqiptar është futbollisti më produktiv i skuadrës me 12 gola të shënuara dhe asistime në edicionin 2020/21.
Në kampionatin evropian “Euro 2020”, Ferencvaros ishte i përfaqësuar me pesë futbollistë në Përfaqësuesen e Hungarisë. Dy portierët, Adam Bogdan e Denes Dibusz, mbrojtësit Endre Botka (të gjitha 3 paraqitjet) e Gergo Lovrencsics (të gjitha 3 paraqitjet - 1 titullar dhe 2 zëvendësues) si dhe mesfushori, David Siger (1 ndeshje si zëvendësues).
Ferencvarosin pas 3 vitesh shumë të suksesshme, e ka lënë kryetrajneri, ish-futbollisti i njohur ukrainas, Serhiy Rebrov. Me të “gjelbrit” ka fituar tre tituj kampioni, ka luajtur në grupet e Europa dhe Champions League duke regjistruar 132 ndeshje ku prej tyre 82 fitore apo 62% me rezultat pozitiv. Ai është rikthyer te skuadra nga kishte ardhur në “Fradi”, Al-Ain të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Rebrov është zëvendësuar me strategun austriak 55 vjeç, Peter Stoger. Ish-futbollisti i skuadrave të njohura austriake, si Rapid e Austria Vjenë, para Ferencvarosit ka udhëhequr skuadra të mëdha si Borussia Dortmund (2017/18), Koln, Grazer dhe së fundi Austria Vjenë (2020/21).
Skuadra hungareze është në mesin e përgatitjeve në Austri duke zhvilluar disa miqësore me skuadra të njohura dhe duke triumfuar në to, si me kampionët e Bullgarisë, Ludogorets (3-1) dhe ata polak, Legia Varshavë (2-0).
Në garat zyrtare, Ferencvaros nuk ka pësuar humbje në 12 ndeshjet e fundit (ishte mposhtur për Kupë), kurse kampionale nuk ka pësuar që nga 20 janari apo në 18 ndeshjet e fundit.
Prishtina me Farenvarosin do të përballet në raundin e parë kualifikuese të Champions League. Ndeshja e parë në mes tyre do të luhet më 6 korrik.