GRUPI B: IRANI-PORTUGALIA
Ronaldo dhe Irani përfshihen në VAR, para se portugezët të kualifikohen
25 June, 2018 @22:17
VAR-i dhe referi kryesor i ndeshjes, Enrique Caceres, kanë marrë qendrën e vëmendjes sonte, derisa Portugalia nëpër vrimë të gjilpërës arriti të tetën e finales së Kupës së Botës.
Portugalia dukej se po shkonte lehtë tutje, derisa avanconte me supergolin e Ricardo Quaresmas dhe Marokoja mposhtte Spanjën 2-1 në ndërkohë.
Por, penalltia nga VAR për Karim Ansarifardin, barazimi i rezultatit 1-1, në anën tjetër barazoi edhe Spanja 2-2 e Irani dështoi të shënonte në sekondën e fundit të ndeshjes para portës portugeze - bën që drama të përfundonte me fishkëllimën e fundit të referit.
Irani, po të fitonte, eliminohej Portugalia. Cristiano Ronaldo dështoi të shënonte për epërsinë 2-1, duke dështuar nga penalltia. Ndërsa më pas, VAR mbylli njërin sy duke ia dhënë kartonin e verdhë Cristiano Ronaldos, pas goditjes së qëllimshme të lojtarit kundërshtar.
Në të tetën e finales, Portugalia do të takohet me Uruguajin, ndërsa Irani është eliminuar nga Kupa e Botës.