KOLUMNE: FUTBOLLISTËT QË SHKRUAN HISTORINË
Ronaldo
Shkruan: LUAN MORINA
3 June, 2018 @22:30
Nëse mbahet në mend diçka tek futbollistët brazilian, pos artit që bëjnë me topin në këmbë, është buzëqeshja e tyre. Njëri ndër brazilianët që gjithnjë ka pasur buzëqeshjen në fytyrë ka qenë edhe mbrojtësi i krahut të djathtë të Brazilit, Cafu.
Ai njihet si braziliani i fundit që ka ngritur trofeun e Kupës së Botës. Dhe krejt kjo kishte ardhur pas shumë peripecive. Gjatë kualifikimeve për Kupën e Botës në Kore Jugore dhe Japoni, Brazili që edhe atëherë ishte kombëtarja me më së shumti tituj, kishte pasur goxha probleme. Në ndeshjen kundër Paraguait, Cafu ishte përjashtuar nga ndeshja duke u zhveshur nga shiriti i kapitenit me vendimin e trajnerit Wanderlei Luxemburgo. Si shumë punë në karrierën e këtij të fundit, edhe pozita e selektorit të Brazilit i ishte përfunduar para kohe. Ai ishte shkarkuar gjatë kualifikimeve për tu zëvendësuar me Luiz Felipe Scolarin.
Tani në Kinë, Scolari atëbotë kishte emëruar Emersonin që karrierën e kishte kaluar në Romë dhe Real të Madridit për pjesën më të madhe, si kapiten të Brazilit. Para nisjes së turneut, Emerson kishte lënduar krahun duke humbur krejt turneun dhe Cafu ishte kthyer në rolin e kapitenit.
Buzëqeshja e tij gjatë ngritjes së trofeut është një çast që karakterizon ciklin e një gjenerate të shkëlqyeshme futbolli. Brazili kishte shpaguar dështimin në finalen e para katër viteve. Por, askush sa Luis Nazario de Lima Ronaldo nuk kishte shpaguar veten. Sulmuesi më i mirë në botë atë vit ishte kthyer nga një lëndim i gjurit, i cili s’do të ishte i fundit për të fatkeqësisht, për të shpaguar tmerrin që kishte ndodhur në ‘Saint Denis’ katër vite më parë.
Ajo çfarë kishte ndodhur ditën e finales së Kupës së Botës në Francë, në vitin 1998, interpretohet në shumë mënyra, duke mos arritur të dallohet çfarë është e vërtetë e çfarë është konspiracion. Ronaldo, 21 vjeç, po vinte në Kupën e Botës pas një sezoni fantastik me Interin për të cilët kishte shënuar 34 gola. Futbollisti më i mirë në planetë atëbotë, para finales kishte shënuar katër gola për Brazilin, për të qenë i heshtur në finale. Në formacionet zyrtare para ndeshjes, ishte lajmëruar që Ronaldo s’do të ishte pjesë e ekipit të Brazilit, për t’u demantuar e konfirmuar lajmi disa herë, deri tek parada e lojtarëve në fushë.
Ronaldo ishte aty, numri 9 i Brazilit, bashkë me ekipin e plotë i fanellë-verdhëve, të cilët dukeshin më të zymtë se ndeshjet tjera. Atë çfarë kishte ngjarë në ndeshje e kishim parë të gjithë. Ajo çfarë kishte ndodhur para ndeshjes do të mbetet konspiracion në mënyra të ndryshme, për shumë vite.
Vet Ronaldo deklaron që kishte shkuar në shtrat pas drekës, dhe pas kësaj kishte pasur një spazmë.
“Isha i rrethuar nga lojtarët dhe Dr. Lidio Toledon e ndjerë, të cilët nuk dëshironin të më tregonin se çfarë po ndodhte. Pyeta nëse mund të largoheshin dhe të bisedonin diku tjetër sepse doja të flija. Atëherë Leonardo më mori dhe më dërgoni në kopsht të hotelit, për të më njoftuar se s’do të luaja në finale.”
Ronaldo kishte ngulmuar të luante pasi rezultatet e testeve nuk kishin treguar asgjë jo-normale. Edhe kishte luajtur, duke pranuar që disi kishte detyruar Zagallon ta inkuadronte. Por, shprehej pishman pasi ndjehej fajtor se ngjarjet që kishin ndodhur kishin prekur mendërisht ekipin.
Konspiracioni nis me Edmundon i cili deklaron që Ronaldo ishte detyruar të luante për shkak se Nike – sponsori i tij i atëhershëm, kishte kërkuar që ai të luante patjetër në finale. Disa lojtarë kanë deklaruar që Toledo ishte duke qarë, pasi kishte parë Ronaldo pa vetëdije, duke marrë frymë zorshëm, dhe pështymë rreth gojës së tij. Vet Toledo kishte mohuar këtë.
Një tjetër thashetheme ka të bëj më reagimin alergjik që kishte pasur Ronaldo pas injeksionit të gjurit që kishte marr. Alergjia momentale kishte trembur Ronnien, gjersa një tjetër teori flet për një krizë nervore që kishte kapluar lojtarin. Pasi ishte vendosur që Ronaldo s’do të luante, kishin nisur të çarat në ekip, që për dallim prej ndeshjeve tjera, kishin shkaktuar që ekipi të dilte nga hoteli pa vallëzimin e sambës.
Një tjetër konspiracion ka të bëj me korrupsionin, tashmë evident, në FIFA. Për të kënaqur Blatterin e posazgjedhur atë vit, dhe për të heshtur problemet shoqërore në Francë, vendasit do të fitonin Kupën e Botës, e Brazilit do t’i shtrohej një rrugë e “lehtë” drejt titullit në Kupën e Botës në vitin 2002. Si shtesë, Brazili do të organizonte një Kupë të Botës dekadën në vijim.
E ajo çfarë mendon autori i këtij shkrimi është që Ronaldo ishte helmuar, pasi që ai Ronaldo që ishte në fushë, nuk ishte as hija e Ronaldos, e aq më pak Brazilit që mund të shihej. Ishte një lojë e turpshme, ndoshta më e turpshmja, e Brazilit. Ndoshta kurrë s’do të mësojmë të vërtetë, por Brazili i vërtetë nuk ishte në fushë atë natë. Brazili i vërtetë ishte katër vite më vonë, në finalen kundër Gjermanisë.
Ronaldo kishte ndikim aq të madh në aspekt global, sa që verën e vitit 2002, ndër më të nxehtat në vendin tonë, shumë fëmijë kishin një grusht flokësh në pjesën ballore të kokës, me pjesën tjetër dërmuese të rruar. Ishte stil i Ronaldos, dhe i mijëra, ndoshta edhe miliona tifozëve të tij anekënd globit.
Ronnie do të shënonte tetë gola në këtë Kupë të Botës, nga të cilët dy ishin vendimtar në finalen ndaj Gjermanisë në Yokohama, ditën e fundit të qershorit të vitit 2002. Ronaldo kishte shënuar edhe golin e parë, ndaj Turqisë në grupe, ndeshje e cila ishte fituar falë një penalltie të konvertuar të Rivaldos. Përkrahë këtyre dyve, në sulm prezent ishte Ronaldinho i cili kundër Anglisë në çerekfinale do të shënonte njërin nga golat më të bukur në histori të Kupës së Botës. Teknika e Juninho Paulistës, dhe fiziku i shtuar teknikës së Gilberto Silvas përbënin pjesën e mesfushës së Brazilit, me Cafun e Roberto Carlosin në krahë të mbrojtjes si kombinimi ndër më të mirët në histori të futbollit.
Kina ishte mposhtur me katër gola, dy nga Ronaldo, Roberto Carlos e Ronaldinho (penallti). Kosta Rika kishte marrë pesë – përsëri dy Ronaldo, Edmilson, Rivaldo e Junior në një formacion të përzier që la Lleite Kakan të debutonte në Kupën e Botës me Brazilin. Ronaldo e Rivaldo ishin përkujdesur për eliminimin e Belgjikës së Marc Wilmotsit; para se të binte Anglia, me Rivaldon e Ronaldinhon të cilët shkrinë epërsinë e ‘tre luanëve’ të arritur me golin e Michael Owen.
Në gjysmëfinale Brazilin e priste përsëri Turqia, me Rustu Reçber në portë i cili ndalte edhe gjuajtjet e pambrojtshme. Kishte ndaluar gjithçka portieri turk, pos goditjes precize të Ronaldos në fillim të pjesës së dytë të lojës, që ishin pesëmbëdhjetë minutat më fatal të Brazilit në këtë edicion të Kupës së Botës.
Edhe në finale, portieri kundërshtar ishte para sprovës më të vështirë në jetë. Kësaj radhe, kjo barrë binte në Oliver Kahn. Papritmas, Kleberson ishte arma kryesore e Brazilit, i cili me gjuajtjet dhe pasimet e tij, rrezikonte portën edhe më shumë se Ronaldo për pjesën më të madhe të lojës. Megjithatë, Ronaldo vendosi lojën me golin e shënuar pas pritjes së pasigurt të Kahn në gjuajtjen e Rivaldos, derisa goli i dytë erdhi në stilin e tij klasik. Të udhëhequr nga Ronaldo, ekipi i Scolarit i solli Brazilit titullin e pestë të Kupës së Botës, rekord akoma i paprekur.
Ajo çfarë po niste tek Brazili me Ronaldon, Ronaldinhon, e më pas do të vërenim edhe madhështinë e Kakas me top, premtonte të ishte një super-ekip. Porse, për shkaqe kryesisht jo-sportive, kjo gjeneratë e Brazilit s’do të mund të përsëriste suksesin e Brazilit të Peles. Dy tituj, tri finale radhazi, dy gjenerata të ndryshme, shënjuan epokën e fundit të artë të Brazilit. Epokë që synon të kthej jehonën në Rusi këtë verë.