SHQIPËRIA - UKRAINA
4 gola të pranuara, në humbjen e tretë me radhë
3 June, 2018 @17:48
Pas disfatës nga Norvegjia dhe Kosova, Shqipëria e drejtuar nga Christian Panucci ka pësuar edhe humbjen e tretë me radhë në miqësore.
Ukraina është treguar tepër e fortë sot për kuqezinjtë, duke e mposhtur me rezultat bindës 4-1 në miqësoren e zhvilluar në Evian të Francës.
Dyshja më e mirë e Ukrainës, Andriy Yarmolenko dhe Evgeni Konplyanka, kanë shënuar katër herë për përfaqësuesen e drejtuar nga Andriy Shevchenko. Tre në pjesë të parë të miqësores, për të treguar forcën dhe një tjetër krejt në fund.
Dyshja, bashkë me pjesën ofanzive të ukrainasve kanë shfrytëzuar çdo vrimë në mbrojtje të Shqipërisë për të shënuar gola. Ata përfunduan dilemën e fituesit në miqësore që në pjesë të parë.
Në pjesë të dytë, Panucci futi në lojë Hysen Memollën, Bekim Balajn, Sokol Cikalleshin dhe Arlind Ajetin. Por, as këta nuk arritën të bëjnë ndonjë ndikim në rezultat, pos golit të nderit, që krejt në fund të ndeshjes erdhi nga Emanuel Ndoj që luan në Catania, pas asistiimt të Memollës.
Përndryshe, kjo është humbja e pestë e Shqipërisë në gjashtë ndeshjet e fundit në të gjitha garat me Panuccin në krye!