BALLKANI 3-2 ULPIANA

Foto: FFK
Rrustem Hoxha në sekondë të fundit i jep fitore Ballkanit
11 September, 2021 @18:45
Ballkani i Suharekës ka shënuar një fitore dramatike sot ndaj Ulpianës së Lipjanit që këtë stinor arriti në Superligë.
Përkundër epërsisë dygolëshe që kishte ekipi suharekas, mysafirët kanë arritur të barazojnë krejt në fund. Por, ka qenë Rrustem Hoxha që në gati minutën e 95 të ndeshjes, ka vendosur fatin e takimit në 3-2 [Armend Thaqi 5, Astrit Thaçi 53, Rrustem Hoxha 90+4 - Trimor Selimi 74’, Ardi Shala 90+1].
I drejtuar nga Bekim Isufi Ballkani nisi takimin me qëllimin e vetëm te fitorja dhe atë shpejt. Kështu edhe nisi rezultati, ka qenë goditja e Armend Thaqit që u devija nga mbrojtja mysafire (5) për t’i dhënë epërsinë vendasve.
Më pas raste të panumërta për Ballkanin, por pa konkretizim. Blendi Baftiu, Ermal Krasniqi tentuan, por pa sukses karshi Armend Blakqorit në portën kundërshtare.
Por ende pa u bërë dhjetë minuta në pjesë të dytë Astrit Thaçi sikurse vulosi fitoren e vendasve, kur shënoi për 2-0 (53).
Rehatia, vendasve u kushtoi shtrenjtë. Ulpiana u rikthye në lojë me Trimor Selimin që shënoi për 2-1 (74), ndërsa në kohën shtesë pas mos shfrytëzimit të rasteve të vendasve, Ardi Shala barazon rezultatin për të shtangur ekipin vendas me 2-2 (90+1).
E atëherë kur askush nuk e priste, në skenë doli Rrustem Hoxha që me golin e shënuar në sekondën e fundit të ndeshjes, i dha Ballkanit fitoren e dytë të stinorit. Hoxha u asistua nga Armend Thaqi, për të shënuar me kokë.
Fitorja mban Ballkanin në pjesë të epërme të tabelës së klasifikimit momentalisht, derisa për Ulpianën kjo ka qenë humbja e parë në elitë, pas dy barazimeve në dy xhirot e para.