EKSKLUZIVE
Ruxhi ndahet nga Liria
12 August, 2017 @11:43
Portieri vendas i Lirisë, Armend Ruxhi, është ndarë nga ekipi bardhezi, pas fazës përgatitore të skuadrës.
Borozani.com ka mësuar se portieri shumëvjeçar i ekipit të Prizrenit nuk ka pasur besimin e trajnerit që të jetë portieri i parë i skuadrës, gjë që ka ndikuar edhe në pagën e tij, gjë që ka shkaktuar pakënaqësi te lojtari.
“Pas 15 viteve karrierë me Lirinë, duke mbrojtur portën e skuadrës erdhi momenti për tu ndarë nga klubi im. Arsyeja kryesore ka qenë mosdakordimi rreth pagës, pasi që gjithmonë isha portieri i parë i ekipit dhe nuk më është dukur e arsyeshme që të vazhdojë me pagën që mu ofrua tash, pastaj edhe trajneri nuk ma dha rastin shumë gjatë stërvitjeve,” ka thënë Ruxhi në prononcimin e tij për Borozani.com sot.
Liria këtë verë ka zyrtarizuar portierin e ri të ardhur nga Tomorri i Beratit, Mikel Kaloshi, ndërsa së fundi mediat tiranase kanë bërë të ditur se ekipi do të angazhojë edhe portierin e dytë të Tiranës, Edvan Bakaj.
Ruxhi në anën tjetër, ende nuk ka vendosur çka do të bëj pas 15 viteve të kaluara me Lirinë, por ka shprehur zhgënjimin e tij me skuadrën.
Liria këtë stinor pret që të përfundojë në pjesën e epërme të tabelës, ndërsa stinorin e nis si mysafir ndaj Vëllaznimit në Gjakovë, fundjavën që vjen.