FUTBOLLISTI I RADHËS TE DINAMO E ZAGREBIT
Sa i kushtoi Lirim Kastrati Dinamos?!
17 February, 2020 @19:10
Mediat kroate pas zyrtarizimit të transferit të Lirim Kastratit në drejtim të Dinamo Zagrebit kanë zbuluar shumë e transferit të futbollistit të Kosovës.
Sportske Novosti ka bërë të ditur se kampioni i shumëfishtë kroat ka nënshkruar shumën e transferit prej 2 milionë eurove, të cilat i ka përfituar Lokomotiva.
Ndërkaq, Kastrati 21 vjeç ka nënshkruar kontratë 5 vjeçare me ekipin më të madh kroat, derisa është shprehur të jetë tejet i lumtur, pasi që ka shpresuar që një ditë të jetë pjesë e Dinamos dhe kjo ëndërr tashmë iu realizua.
Sa i përket aftësive të tija, flasin statistikat. Kastrati vetëm këtë stinor ka shënuar tetë gola për Lokomotivën, ka postuar katër asistime dhe është lojtari më i shpejtë i matur në elitën e futbollit kroat.
“Ai ka edhe shumë për të mësuar në aspektin tekniko-taktik, por ajo bëhet me punë. E atë që e ka Kastrati dhe nuk mund t’ia merr askush është - shpejtësia. Ai është sulmues modern me potencial të madh. Edhe pse është djathtak, ai mund të përdoret edhe në anë të majtë të krahut të sulmit, ndërsa trajneri i të kaltërve Nenad Bjelica do të ketë opcione taktike shtesë, veçanërisht në kundërsulme,” ka shkruar Sportske Novosti për Lirimin sot.
E vetë Kastrati për gazetën në fjalë ka thënë:
“Konkurrenca në Dinamo është tejet e fortë. Por, besoj në vete dhe me përgatitje të mira do t’i bashkangjitem ekipit. Tash për tash, më duhet të vazhdojë me lojëra të mira te Lokomotiva ashtu që t’i ndihmojë ekipit për të siguruar garat evropiane stinorin tjetër.”
Për më tepër, ka folur edhe menaxheri i lojtarit, Rexhë Jëlliqi. Ai ka thënë se nuk ka pasur telashe fare për të vendosur kur i thirri Dinamoja dhe asgjë s’ka zgjatur shumë.
“Gjithçka ka qenë korrekte. Dinamo ka dhënë kushte të mira dhe Lirimi ka nënshkruar kontratën. Thjesht, në javën e kaluar nuk kishim kohë për takimin përfundimtar dhe e lamë që sot të ulemi në tavolinë, ku gjithçka kryem shpejtë e sigurtë.”
Lirim Kastrati deri në fund të stinorit do të vazhdojë të luajë si huazim te Lokomotiva e Zagrebit, para se të kalojë te ekipi i tij i ri.