Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

KOSOVA

Bichard: Futbolli dinamik dhe sulmues për Kosovën

Foto: OneFootball

Bichard: Futbolli dinamik dhe sulmues për Kosovën


nga OneFootball, përktheu e përshtati: G. P. për TopSporti.com

7 March, 2021 @11:07

Pak muaj pas zyrtarizimit si ndihmëstrajner i Bernard Challandes në përfaqësuesen seniore të Kosovës në futboll, francezi Sébastien Bichard ka dhënë një intervistë në gjuhën franceze për OneFootball, ku ka folur rreth fillimit të karrierës së tij, vazhdimit të saj, ardhjes te Kosova dhe rolin e tij në të ardhmen te përfaqësuesja e Kosovës.

Në fillim të intervistës, Bichard shpjegon se si në moshën 19-vjeçare migroi nga Franca në Zvicër, për të luajtur futboll dhe paralelisht për të filluar trajnimet për liçencën B të UEFA-së për trajner futbolli. Më pas, ai foli për marrjen e liçencës A tè UEFA-së.

“Procesin tim të zhvillimit si trajner dhe mundësinë që ta marr më shpejt liçencën A të UEFA-së e përshpejtoi lëndimi që e pata rreth moshës 27-28 vjeçare. Gjatë fazës rikuperuese të lëndimit, studiova edhe më tepër rreth gjendjes fizike të sportistëve, gjendjen psikike gjatë periudhës kur je i lënduar dhe gjëra të ngjashme që më ndihmojnë edhe sot në rolin që kam si trajner e ndihmëstrajner.” - shprehet Bichard për OneFootball.

Më pas, Bichard intervistën e vazhdon duke treguar për aventurën 2-mujore si ndihmëstrajner i Christian Zermatten në Algjeri e pastaj për rikthimin në futbollin zvicran. ku punoi fillimisht me një skuadër gjysmë-profesionale në Nyon, e pas saj për 2 vjet mori drejtimin e skuadrës U18 të Lausannes.

Krejt në fund, para ftesës nga Kosova, Bichard punoi te skuadra e Sionit për 2 vite, pak te skuadra U21 si kryetrajner e pak te skuadra seniore si ndihmëstrajner. Madje, te kjo skuadër francezi Bichard për një periudhë të caktuar bashkëpunoi edhe me italianin Paolo Tramezzani, dikur ndihmëstrajner i De Biasit te Shqipëria.

“Ishte koha që ta përfundoja aventurën me Sionin. Kisha dëshirë që të shkoja te një klub profesional në Brazil, por në nëntor të vitit 2020 erdhi një ftesë që t’i bashkangjitem stafit të Bernard Challandes te Kosova dhe vendosa që ta pranoj.” - vazhdon 37-vjeçari Bichard.

“Gjatë punës me grupmosha të ndryshme në futbollin zvicran, kam takuar shumë djem nga Kosova dhe Kosova nuk ishte vend i panjohur për mua. Kur Challandes më ftoi që të diskutonim, kur më tregoi planin e tij, u binda dhe vendosa ta pranoj ofertën.

Roli im është që ta mbështes trajnerin Challandes dhe të jem pjesë e projektit të tij, me idetë dhe vizionin tim për futbollin, duke filluar që nga kualifikimet për Kupën e Botës 2022.” - u shpreh francezi.

Sa i përket asaj që pa kur e filloi punën me Kosovën, Bichard tha:

“Që nga fillimi i punës sime me Kosovën, pashë një staf profesional, lojtarë profesional dhe pjesëtarë të federatës që duan ta zhvillojnë përfaqësuesen dhe që kanë pritshmëri të caktuara për të ardhmen.

Për dallim nga puna në klube, puna me përfaqësuese është më ndryshe. Grumbullimet me lojtarë janë më të rralla dhe brenda pak ditëve ndodhin shumë gjëra. Prandaj, ambienti duhet të jetë i mirë, profesional dhe ndonjëherë një ambient i mirë që lojtarët e gjejnë te grumbullimi me përfaqësuese ka më shumë rëndësi se përgatitja taktike.

Rritja e Kosovës në fillimet e saj si përfaqësuese ishte e shpejt. Por në futboll, duhet të kesh kujdes, të jesh modest dhe të kesh një plan afatgjatë me themele të forta. Nuk ka rrugë ideale apo rrugë të saktë, por gjithçka duhet të bazohet në plan afatgjatë. Me ndihmën e UEFA-së, e di që federata e Kosovës po mundohet që ta bazojë të ardhmen te të rinjtë, t’i zhvillojë qendrat stërvitore e t’i përmirësojë kushtet e punës. Jemi në rrugë të mirë!

Në vazhdim, Bichard u shpreh në lidhje me kryetrajnerin Challandes, punën e tij te Kosova që nga nëntori 2020, sfidat, si dhe qëllimet për të ardhmen:

“Bernard Challandes tashmë ka lënë gjurmë në historinë e futbollit kosovar dhe ai nuk do të harrohet për një kohë të gjatë dhe për aq sa mundem, shpresoj që edhe unë të arrij të lë gjurmë te Kosova.

QATAR 2022 - GRUPET KUALIFIKUESE DHE ORARI

Që nga nëntori, ne analizojmë ndeshjet tona të kaluara, marrim gjërat pozitive e negative, krahasojmë dhe mundohemi të përmirësohemi. Gjithashtu, jemi në bashkëpunim edhe me përfaqësuesen U21, shohim se çfarë lojtarë ka aty dhe cili prej tyre mund të jetë lojtari i ardhshëm i skuadrës seniore.

Po ashtu, ne analizojmë edhe kundërshtarët e grupit kualifikues, gjë që kërkon kohë e përkushtim.

Për shkak të pandemisë, ndonjëherë është e vështirë që t’i kemi të gjithë lojtarët më të mirë në grumbullim, por ne po tentojmë më të mirën. Qëllimi është që në çdo grumbullim t’i kemi lojtarët më të mirë të mundshëm pjesë e skuadrës dhe kjo momentalisht nuk është e lehtë të bëhet.

Duam që të krijojmë futboll dinamik dhe sulmues, të kemi posedim topi, por duke qenë të balancuar edhe në mbrojtje, duke e rikuperuar shpejt topin dhe normalisht nga ndeshja në ndeshje duke u përmirësuar. Lojtari “tipik kosovar” ofron kualitet të lartë teknik dhe mentalitet sulmues dhe këtë publiku e pëlqen.” - thotë Bichard, i pyetur për qëllimet e Kosovës dhe atë se çfarë stafi i trajnerëve dëshirojnë të shfaqin në fushë.

Në fund të këtij muaji, Kosova i fillon ndeshjet eliminatore drejt Botërorit të vitit 2022. Fillimisht luan si vendase ndaj Suedisë më 28 mars, e më pas si mysafire ndaj Spanjës më 31 mars.



i:

Nëse artikulli përdoret/kopjohet (i plotë ose i pjesshëm) nga mediat tjera në shqip, është mirë që të përdoret burimi i përkthimit

 
Të gjitha lajmet nga