JULEN LOPETEGUI
Shkarkimi i dytë, brenda 5 muajve?!
21 October, 2018 @23:23
Julen Lopetegui është në ankth! Trajneri i Real Madridit mund të përjetojë shkarkimin e dytë të tij brenda pesë muajve, pasi që ekipi nën drejtimin e tij ka kaluar kohën rekorde në historinë mbi një shekullore pa shënuar gol!
Lopetegui ishte shkarkuar nga reprezentacioni i Spanjës disa ditë pa filluar Botërori “Rusia 2018” dhe tash është para shkarkimit të radhës.
Marca ka shkruar se drejtuesit e klubit janë në mëdyshje a t’i japin rast edhe në El Clasico për t’i kthyer gjërat në binarë, pasi që Lionel Messi do të mungojë në këtë ndeshje, apo t’ia japin që tash detyrën Santiago Solarit, që është njeriu më i përfolur për postin e trajnerit të Los Blancosve tash për tash.
Emrat tjerë që po lakohen si trajnerë të Real Madridit janë: Roberto Martinez, Antonio Conte, Laurent Blanc dhe Michael Laudrup.