SUSPENDIMI

REUTERS
Shpëtimi i Mandzukicit, me modelin e Rooneyt
21 November, 2013 @10:41
Sulmuesi kroat i Bayern Munchen, Mario Mandzukic, i cili e morri kartonin e kuq në ndeshjen e fundit të barazhit me Islandën, ku shënoi edhe golin e parë të kombëtares për të kualifikuar Kroacinë, pritet të mungojë në dy ndeshjet e para të Kampionatit Botëror Brazili 2014.
Mirëpo mediat kroate kaën hulumtuar raste të tilla dhe e kanë gjetur më të mirën sipas tyre. Për të munguar sa më pak të jetë e mundshme Mandzukic, që është sulmuesi kryesor i kombëtares, ata kanë marrë shembullin e anglezit Wayne Rooney.
Rooney i cili ishte i suspenduar për tre ndeshje moslojë, pasi që kishte fauluar ashpër malaziasin Miodrag Dzudovic në ndeshje të barazhit për EURO 2012, rrezikonte të mos luante asnjë ndeshje për Anglinë në Kampionatin Europian, ngase kualifikimi në çerekfinale asnjëherë nuk është i sigurtë.
E për të siguruar së paku një ndeshje të Rooneyt në fazën grupore, Anglia kishte lutur malaziasin në fjalë që t’i shkruante FIFA-së për t’ia zbutur suspendimin Rooneyt. Dzudovic e kishte bërë këtë dhe FIFA kishte ulur suspendimin e Rooneyt në dy ndeshje.
Në ndeshjet e fundit të grupit, Rooney kishte të drejtë loje dhe Anglia me golin e tij zuri vendin e parë në Grupin D të Kampionatit të fundit Europian duke kaluar mbi Francën dhe duke eliminuar vendasit, Ukrainën.
Më pas Anglia ishte eliminuar në çerekfinale nga Italia pas ekzekutimit të penalltive 4-2, pasi që ndeshja në kohë të rregullt dhe pas vazhdimeve kishte përfunduar 0-0. Rooney ka qenë shënues i një penalltie nga dy të dhëna prej anglezëve në humbje.
Mario Mandzukic sipas kroatëve pritet të dënohet me një ndeshje moslojë, por në rastin më të keq ai mund të merr dy ndeshje suspendim. Për këtë ata kanë nisur të bëjnë gati kërkesën për futbollistin islandez të fauluar nga Mandzukic, Johan Gudmunsson.