1/2: VUSHTRRIA - PRISHTINA
Shpëtimtari Khalid, Prishtina në finale
18 April, 2018 @17:37
Në një stadium të mbushur me tifozë në Vushtrri, Vushtrria e Prishtina luftuan mes vete për plot 120 minuta, e në fund kualifikimit iu gëzuan kryeqytetasit, të cilët e arritën kualifikimin për në finalen e Kupën së Kosovës falë golit të Basit Khalid në minutën e 9’ të vazhdimit të parë të ndeshjes. I njëjti lojtar e kishte shënuar golin e vetëm të ndeshjes edhe në përballjen e parë mes këtyre dy skuadrave në Pejë.
Për t’u përmendur nga ky takim ishte fakti që Vushtrria sot ishte pa Labinot Osmanin, lojtarin kryesor të skuadrës, lojtar ky që nuk ishte as në bankën rezervë.
Pjesa e parë kaloi pa gola, pjesë në të cilën Mankenda e pati mundësinë më të mirë për mysafirët, derisa për vendasit rast të volitshëm për shënim pati Topalli, gjuajtja e të cilit u prit nga portieri Bekaj i mysafirëve.
Në pjesën e dytë, epërsinë e vendasve e solli Daut Maxhuni, i cili shënoi në minutën e 48’ për 1-0, rezultat me të cilin u mbyll takimi, duke bërë që ndeshja të shkojë në vazhdime, pasi me këtë rezultat ishte mbyllur edhe ndeshja e parë para dy javësh.
E në vazhdime, ishte Basit Khalid i mysafirëve ai që ia dha kualifikimin kryeqytetasve. Khalid shënoi për 1-1 në minutën e 99’ të ndeshjes pas asistimit nga Januzi, ndërsa në pjesën e mbetur të vazhdimeve gola të tjerë nuk pati dhe kështu finalen e madhe të 27 majit e arriti skuadra e Prishtinës.
Në finale, Prishtina do të takohet me Vëllaznimin, i cili sot e eliminoi Drenicën në Gjakovë.