KOLUMNE
Si kaloi gjysmëvjetori te Chelsea?!
Shkruan: LUAN MORINA
23 January, 2018 @14:54
Nëse mund të nxjerrin para nga shitja e Mitchy Batshuayit, Chelsea s’do të duhej të mendonte dy herë për të larguar belgun. Flitet për një ardhje eventuale të Andy Carroll dhe kthimi i Tammy Abraham do të mbulonte sulmin.
Për të mbuluar largimin eventual të Fabregasit në verë ka ardhur Barkley, e nëse nuk vazhdojnë kontratën Eden Hazard e Thibaut Courtois, mund të presim ardhjen e Thorganit ndoshta, e pse jo edhe Jan Oblakut. Mirëpo këto janë probleme vere. E deri atëherë, Chelsea do të luftojë në katër fronte.
Fronti i Premier League është vetëm se i mbyllur sa i përket titullit, por për ‘blutë’ e Londrës do të jetë e rëndësishme pozita e katërt që do t’i dërgonte përsëri në Ligën e Kampionëve. Në këtë front këtë sezon nuk kanë qenë keq, dhe mund të futen deri në gjysmëfinale me një katenaço të zakonshme të cilën me mungesën e Moratës e kthen edhe një 9sh fals si Hazard.
Morata javëve të fundit nuk ka qenë në formën më të mirë dhe për këtë arsye u nevojitet një përfundues si Carroll. Në mungesë të tij, Chelsea ka barazuar me Norwichin duke nxjerrë një ndeshje shtesë shumë të panevojshme; kanë humbur pikë ndaj Arsenalit e Leicesterit së fundmi; e rrezikojnë të bëjnë të njëjtën edhe ndaj ekipeve më të dobëta në javët në vijim.
Mbrojtja mbetet arma kryesore e Chelseat, përkundër problemeve me Luizin dhe lëndimit të Cahill së fundmi. Christensen ka talent për të marr në dorë më shumë përgjegjësi, dhe sikur t’i besonte edhe Zappacostas sikur danezit, Conte do të kishte më fitore ndoshta. Alonso po shkëlqen edhe këtë vit. Katër javët e fundit kalendarike, Alonso ka më së shumti gola tek Chelsea, edhe më shumë se Morata.
Bakayoko me Kanten po funksionon mirë në mesfushë, mirëpo Drinkwater e Fabregas nuk duket se janë aq të dobishëm në pjesën teknike të mesfushës. Paaftësia për të shënuar edhe krahët, e bën Conten të dyshimtë për të vazhduar në Chelsea edhe sezonin e ardhshëm. Sidomos nëse nuk ka tituj. E për momentin më i besueshmi mbetet Carabao Cup.