REZULTATI I TAKIMIT
Si u morr vendimi për vazhdimin e ndeshjes Kroacia-Kosova?
3 September, 2017 @11:34
Mediat kroate kanë transmetuar në detaje procesin e marrjes së vendimit për vazhdim të ndeshjes së mbrëmshme ndërmjet Kroacisë dhe Kosovës.
Ndeshja u ndërpre mbrëmë për shkak të shiut të madh, ndërsa do të vazhdojë sot prej orës 14:30.
“Pas ndërprerjes së ndeshjes së djeshme, ka pasur komunikim intenziv të dy Federatave dhe FIFAs e UEFAs, që çoi në caktimin e mbledhjes në mëngjesin e sotëm, ora 9:00. Gjatë takimit, delegati i FIFAs dhe referët bashkë me zyrtarët e ekipeve të Kroacisë e Kosovës kanë shikuar barin e stadiumit dhe kanë vendosur se sot mund të luhet aty. Duke marrë parasysh Rregulloren e FIFAs, që thotë se ndeshja duhet të luhet brenda 24 orëve nëse lejojnë kushtet e terrenit, si dhe duke pasur parasysh se nuk ka pasur termine tjera të lira për zhvillimin e kësaj ndeshjeje, pasi që është në fund të kualifikimeve, është gjetur kompromisi mes FIFAs, dy Federatave, duke e lënë në dijeni edhe UEFAn, që ndeshja do të vazhdojë të dielën (sot, 3 shtator) me fillim në ora 14e30, nga minuta e 22-të e saj. Ekipet ndeshjen e vazhdojnë me formacionet që i kanë pasur në momentin e ndërprerjes në fushë. FIFA ka falenderuar Federatën e Kroacisë dhe të Kosovës për mirëkuptim dhe zgjidhjen e kësaj situate të jashtëzakonshme,” - ka qenë njoftimi zyrtar i dalë nga ky takim.