KUKËSI

S’jemi turistë
11 August, 2013 @18:59
Në një intervistë të dhënë për të përditshmen tiranase, Panorama Sport, drejtori sportiv i Kukësit Sylejman Starova ka thënë se skuadra e tij nuk është në Europa League për turizëm dhe do të kërkojë fitore edhe kualifikim edhe ndaj Trabzonsporit.
“Kemi marrë disa DVD me ndeshjet e tyre, mirëpo kampionati i tyre do të fillojë shpejtë dhe do të udhëtoj atje bashkë me trajnerin Armando Cungu për të parë nga afër kundërshtarin,” ka thënë Starova për gazetën.
Ndërsa kur u përmendën yjet e Trabzonsporit si Florent Malouda dhe Jose Bosingwa, Starova u përgjigj thjeshtë.
“Shikoni, mua s’më bëjnë përshtypje lojtarët milionerë. Trabzonspori mund të ketë lojtarë turq shumë më të mirë se dyshja e famshme. Unë e di se ata janë favorit të mëdhenjë karshi nesh, por ta dini që as ne nuk shkojmë atje për turizëm,” ka thënë bindshëm Starova duke bërë të ditur se Kukësi do të kërkojë edhe një të pamundur për të arritur fazën grupore të Europa League.
Për shkak të ndeshjeve të Kukësit dhe Skënderbeut, kampionati shqiptar i futbollit është shtyer për një javë, ndërsa Kukësi pret inspektorët e UEFA-së pas dy ditësh për të marrë vendimin final nëse licencohet Qemal Stafa për Play-Off të Europa League.