TOTTENHAM - MANCHESTER CITY
Son vendimtar, kampioni e nis me humbje
15 August, 2021 @19:29
Edhe pse pa Harry Kanen në fushë, Tottenhami sot arriti ta mposhtë Manchester Cityn me rezultat 1-0 në ndeshjen e vlefshme për xhiron hapëse të Premier Ligës. Kjo fitore bën që Nuno Espirito Santo ta fillojë karrierën e tij si trajner i Spurs si është më së miri.
Pas humbjeve në finalen e Ligës së Kampionëve dhe në finalen e Community Shield, kjo është humbja e tretë rresht për kampionin në fuqi të Anglisë në ndeshjet zyrtare.
Heroi i Tottenhamit ishte koreano-jugori Son, që shënoi me të majtën mjeshtërisht në minutën e 55’, mirëpo për t’u përmendur nga ky takim është edhe paraqitja fantastike e mbrojtësit Tanganga, i cili ishte prej lojtarëve kryesorë të repartit mbrojtës të londinezëve sot.
Tash, pasi e mposhti në fushë, Tottenhami do të tentojë ta mposhtë Manchester Cityn edhe në luftën për sulmuesin Harry Kane. Si shumë herë gjatë sezonit të kaluar, edhe sot te City u vërejt mungesa e një sulmuesi klasik, problem i cili do të zgjidhej nëse transferohet Harry Kane.
Xhiron e dytë, Tottenhami i shkon Wolves, kurse City e pret Norwichin e Milot Rashicës.