LUANI (B)ANALIZON
Superliga e parave
Shkruan: Luan MORINA
5 March, 2016 @10:00
Trashëgimia e një hajni
Në kampanjën e tij për të ardhur në krye të UEFA-s, hajni francez, i stolisur tri herë me Topin e Artë kishte pasur dy premtime kryesore – sistemin e ri të kualifikimeve për Ligën e Kampionëve, dhe zgjerimin e kampionatit evropian në 24 kombëtare. Hajni francez, me këto premtime lajkatare synonte të merrte votat e shteteve më të vogla në kontinentin e vjetër, për të cilat kishte edhe favore tjera, më shumë personale për krerët se sa për vet kombëtaret.
Një hap tjetër ishte edhe vendosja e fair-play financiar që ka goditur vetëm ata që e kanë respektuar derisa shoqëritë e sheikëve për kombin e të cilëve hajni francez ka zhvilluar një ndeshje pasi kishte braktisur pensionin që të mos i ‘prishte qejfin’ emirit të Kuvajtit, PSG dhe Manchester City kishin pësuar dënime në financa dhe zvogëlim të numrit të lojtarëve. Në anën tjetër, ekipet italiane në veçanti dhe ekipet tjera mbi-mesatare kishin nisur tkurrjen.
Qëllimi ishte i thjeshtë - futbolli të shndërrohej në biznes më shumë. Mirëpo, tifozëve nuk ju intereson aq shumë nëse ekipi ka bilanc pozitiv, ata kërkojnë tituj (pyesni ‘gunnersat’ se sa janë të lumtur që sezonin e kaluar Arsenali ka pasur bilanc pozitiv).
Paratë
Në vitet e pasluftës, kur basketbolli kishte lënë futbollin në hije tek ne, disa biznesmenë vendosën të shkëputeshin nga federata për të bërë ligën ‘profesioniste’ të basketbollit. Qëllimi nuk ishte profesionalizimi, por si gjithmonë gëlltitja e parave. Ajo dështoi, dhe basketbolli kosovar nga ajo rilindje kaloi disa vite të errëta.
Edhe futbolli është në majat e suksesit financiar. Premier League vetëm për pjesëmarrje ofron dyfishin e asaj që merr fituesi i Ligës së Kampionëve. Këtë vit edhe Spanja – e vetmja që kishte sistem të decentralizuar të të drejtave televizive është futur në vallen e sistemeve të centralizuara.
Dhe kur ka shumë para, dëshiron të marrësh edhe më shumë. Kjo vlen edhe për pesëshen angleze, edhe për krerët e Bayernit (disa në burg, disa në hetime), edhe për matufin Berlusconi.
Euroliga
Superliga po shkon hapave të Euroligës, sidomos pas marrëveshjes që kanë arritur me IMG për 10 vitet e ardhshme.
Amerikanët kanë ligat me sistemin e mbyllur, ku ekipe si Jacksonville Jaguars e Philadelphia 76ers kalojnë sezone pa shënuar fitore dhe duke u ‘konsoliduar’, derisa pronari i Houston Astros në sezonin më të keq në dhjetët vitet e fundit të kaluar në MLB nga një ekip shënon profit operativ prej 99 milionë dollarë.
E në rast se nuk shënojnë fitime, atëherë kërcënojnë me largim nga qyteti/shteti në rast se nuk ju ndërtojnë një stadium qindra miliona eurosh nga taksat e atyre tifozëve që përkrahin ato ekipe edhe kur mëzi shënojnë 10 fitore nga 82 ndeshje në sezon.
Kapitalizmi në sport – Abetare për fillestarë.
Superliga
Por, si ide në letër kjo Superliga nuk duket edhe aq e keqe. Do të kishim 15-20 ekipet më të mira të Evropës në futboll që do të ndesheshin më shpesh ndërmjet vete se sa të humbnin kohë me ekipe si BATE, Dinamo e Zagrebit, Astana, Maccabi, apo Debreceni. S’do të prisnim me vite për të parë ‘el clasicon’ në Evropë, apo ndeshje ndërmjet gjigantëve evropian. Do të kishte më shumë ndeshje cilësore, por jo medoemos futboll kreativ pasi lojtarët janë njerëz dhe ndërmjet kampionatit kombëtar, atij ndërkombëtar, dhe vet kombëtareve – Liga e Kombëtareve nis më 2018; zor që do të mbetet diçka në ta. Ekipe me më shumë lojtarë, talente më të shfaqura, zhvillimi i fermave të lojtarëve të ekipeve të mëdha, do të ishin diçka pozitive. Për ne si shikues s’do të na pengonte. Pos nëse…
Premier League
Divizioni i parë i futbollit anglez ishte shuar për shkak të parave. Ekipet ishin larguar nga organizimi i Federatës për ‘më shumë autonomi’. Sukses i Premier League është i pamohueshëm. Pa marr parasysh se çfarë renditjesh provoni të gjeni e statistika, Premier League si në aspektin sportiv, si në atë financiar mbetet gara më e mirë e futbollit në botë.
Ndoshta mediume të caktuara dëshirojnë të bëjnë ‘mizën buall’ nga kjo mesele që është shfaqur në media së fundmi, kur përmendin shuarjen eventuale të Premier League, e kampionateve tjera kombëtare. Por, në rast se ndodh kjo, atëherë Superliga do të vriste futbollin siç e njohim. Në rast se lojtarët u dorëzohen parave si lavire apo politikanë, atëherë s’do të kemi as kampionate kombëtare, e as gara të kombëtareve. E kjo nuk është diçka që na duhet.
Superliga mund të funksiononte me modelin e ABA Ligës, ku dikur kah pranvera, ekipet nga regjioni u kthehen kampionateve kombëtare për të garuar me ekipet më të suksesshme të kampionatit deri në atë periudhë. Do të ishte mirë që Reali e Barcelona të luanin me 6 ekipet më të mira në Spanjë se sa të humbnin kohë me ekipet si Rayo e Espanyoli. Do të ishte pak zor për Ronaldon e Messin të bënin ‘rekorde’, por së paku do të kishte futboll.
Karremi
Problemi i Euroligës me FIBA-n është jo i vogël. FIBA kërcënon me largim nga federata ndërkombëtare ato federata që lejojnë ekipet apo basketbollistët në liga private. Ngjashëm mund të veproj edhe UEFA. Por, duhet tu ofroj më shumë se që ofron Stephen Ross. Edhe atë sa nuk është bërë vonë.
Disa ekipe angleze janë në pronë të kapitalistëve të NFL, në Francë e Itali ekipet më të mëdha janë pronë private. Të vetmet që mund të shpëtojnë këtë plan që ngjan në ata të antagonistëve të filmave të James Bond janë ekipet spanjolle dhe gjermane që janë pronë e tifozëve. Por, a do të jenë James Bond, apo do të dorëzohen para parave?! Mbetet të shihet.
Ajo që po shihet qartazi është që interesat personale të hajnit francez dhe bashkë-hajnave të tij nëpër federatat më të vogla mund të kushtojnë me dëmtimin e lojës më të mirë që ka parë njerëzimi ndonjëherë.
Një plan preliminar i paraqitur në internet ka ofruar një pamje aspak definitive se si mund të duket Superliga. Do të ishin katër divizione me nga 8 ekipe që do të luanin dy herë mes vete dhe pastaj edhe 24 ndeshje me ekipet nga divizionet tjera, duke ngritur në total prej 38 ndeshjeve para përfundimtareve. Përfundimtaret do të luheshin nëpër Botë, SHBA e Kinë sigurisht ku ka më shumë tifozë të këtyre ekipeve. S’do të kishte largim nga liga, e paratë do të ishin të garantuara. Divizionet sipas TheBigLead do të mund të ishin këto:
Divizioni Iberik: Real Madrid, Barcelona, Atletico Madrid, Villarreal, Sevilla, Benfica, Porto, Sporting Lisbon
Divizioni anglo-holandez: Manchester United, Manchester City, Arsenal, Chelsea, Liverpool, PSV, Ajax, Celtic.
Divizioni franko-gjerman: Bayern Munich, Borussia Dortmund, Schalke 04, Werder Bremen, Hamburg, PSG, Lyon, Olympique Marseilles.
Divizioni Mediterranean: Juventus, AC Milan, Inter Milan, Roma, Napoli, Olympiakos, Galatasaray, Fenerbahce.