JOEL CAMPBELL
Tash, e do edhe Wengeri
29 June, 2014 @12:00
Ai është vite me radhë lojtar i Arsenalit. Ka nënshkruar me Topçinjtë në vitin 2011, por ende nuk ka arritur të bëj asnjë paraqitje të vetme me klubin londinez!
Shëtit Europën
Ylli kostarikan, që po ngritet gjithnjë e më shumë si futbollist, tashmë është kërkuar edhe nga trajneri i Arsenalit, Arsene Wenger, që me të përfunduar Botërori, të paraqitet në kampin stërvitor të Arsenalit.
Joel Campbell pati probleme me leje pune në Angli dhe Arsenal e huazoi vit pas viti. Lorient në Francë, Real Betis në Spanjë dhe Olympiakos në Greqi - janë ekipet, fanellat e të cilëve i djersiti këto vite.
Flet Wenger
Ai e do ende Arsenalin dhe ëndërron të luaj për londinezët. E këtë si duket do t’ia mundësojnë paraqitjet e mrekullueshme në Kupë të Botës, ku Kosta Rika ka arritur të befasojë tërë opinionin e futbollit duke dalë gjallë nga grupi i vdekjes - ndaj Uruguajit, Italisë dhe Anglisë.
“I impresionuar me mënyrën e vrapimit të drejtpërdrejtë dhe mënyrës së shutimit të tij në ndeshje ndaj Uruguajit si dhe dëshirës për lojë, ai duhet të vijë në stërvitjet parasezonale te Arsenali,” ka shkruar BBC Sport në një artikull për Campbellin, fjalët e Wengerit.
Kthimi në Emirates!
“Ne gjithmonë besuam. Futbollin nuk e vendos fanella që e mban, por puna, mundi - e atëherë mund ta fitosh çdokënd. Jemi të kënaqur, shumë të lumtur me atë çka kemi arritur dhe do të punojmë edhe për më shumë,” kishte thënë 22 vjeçari Campbell, pas sigurimit të daljes nga grupi i vdekjes me Kosta Rikën, i cili u zbulua nga trajneri i njohur Ricardo La Volpe, duke luajtur futboll me kanaqe në rrugët e San Joses.
Kosta Rika sonte luan ndaj Greqisë ndeshjen e vlefshme për kualifikim në çerekfinale të Kampionatit Botëror - që do të shkruante historinë e re të këtij vendi nga Amerika e Mesme në rast të fitores së kostarikanëve.