CANA

REUTERS
Trabzoni është rival i vështirë
3 October, 2013 @13:39
Skuadra italiane ku luajnë tre shqiptarë, Lazio, sonte do të luajë në Avni Aker të Trabzonit ndaj kundërshtarit të Grupit J në Europa League, Trabzonspor.
Lorik Cana, Etrit Berisha dhe Thoma Strakosha janë shqiptarët që veshin fanellën e Lazios, derisa dy të parët pritet që sot të jenë në formacionin e boshnjakut, Vladimir Petkovic.
Cana, i cili ka luajtur një stinor në Superligën turke për Galatasarayin e Stambollit ka thënë se Trabzonspor është gjithmonë kundërshtar i vështirë si vendas.
“Trabzospori është ekip me traditë në Turqi që gjithmonë lufton për titull. Kur luaja në Turqi, Trabzonspori ka qenë gjithmonë kundërshtar i vështirë për shkak se kanë ekip të fortë,” citon faqja zyrtare e UEFA-së, Canën, që duke qenë pjesë e Galatasarayit në nëntor të vitit 2010 u mposht nga Trabzonspori në Avni Aker 2-0.
Trabzonspor dhe Lazio bëjnë pjesë në Grupin J të Europa League dhe të dyja skuadrat kanë shënuar fitore në xhiron e parë të kësaj gare. Trabzonspor, kishte eliminuar Kukësin në raundin e fundit kualifikues për të zënë vend në Europa League 2013/14.