NË MITROVICË
Trepça ‘89 merr kryesimin duke e mposhtur Lirinë
23 September, 2016 @16:47
Liderja e Superligës, së paku deri nesër, do të jetë skuadra e Trepçës ‘89.
Kjo skuadër arriti ta merr kryesimin në radhitjen tabelare të Superligës, duke e mposhtur Lirinë e Prizrenit me rezultat 2-0.
Vendasit kaluan në epërsi në minutën 23’, me golin e kapitenit, Shpëtim Idrizi.
Liria arriti të shënojë në minutën 37’ me anë të Alban Shillovës, mirëpo goli i tij u anulua na gjyqtari kryesor për shkak të pozitës jashtë loje.
Epërsi e ‘89-shit u dyfishua vetëm një minutë para se skuadrat të shkojnë në pushim, kur golashënuesi i golit të parë, Idrizi, asistoi bukur në zonën e rrezikshme tek afrikani Otto John, i cili mjeshtërisht arriti ta mposht portierin mysafir.
Në pjesën e dytë Liria kishte raste të kthehet në lojë, dicka e tillë nuk ndodhi deri në fund.
Madje prizrenasit e kishin edhe epërsinë e një lojtari më shumë në fushë, pas kartonit të dytë të verdhë të Ylber Malokut, i cili u largua nga ndeshja në minutën 61’.
Rasti më ideal për Lirinë ishte në minutën 81’, kur u fitua penalltia pas ndërhyrjes së palejuar në zonë ndaj Alban Shillovës, mirëpo as penalltinë nuk arriti ta shndërrojë në gol Liria, pasi goditja e Fetahajt shkoi lart mbi portë.
Deri në fund të ndeshjes Trepca ‘89 kishte edhe disa raste shënimi, por ato nuk u konkretizuan dhe në fund ndeshja përfundoi me rezultat 2-0.