TREPÇA - FERIZAJ
Trepça e Ferizaj ndajnë pikët
4 March, 2017 @14:50
Dy skuadrat të pjesës së poshtme të Superligës, Trepça dhe Ferizaj, janë pajtuar me nga një pikë në përballjen e sotme ndërmjet tyre që u zhvillua në stadiumin olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë.
Goli i parë i ndeshjes erdhi në minutën 14’, kur mesfushori ofansiv nga Gostivari i transferuar në janar, Maliq Beluli, e kaloi Ferizajin në epërsi me rezultat 1-0.
Dhjetë minuta më vonë, kësaj radhe përforcimi i janarit te Trepça, Bajram Zuqaku, shënoi për ta barazuar rezultatin në 1-1, që ishte edhe rezultati përfundimtar i këtij takimi.
Kjo ndeshje për herë të parë u gjykua nga gjyqtarët nga Malta, treshja Farrugia, Francalanza dhe Villiam.
Rezultati final i kësaj ndeshjeje në fakt nuk i shkoi përshtati asnjërës prej skuadrave, pasi që që të dyjat vazhdojnë të mbesin të ngujuar në pjesën e poshtme të tabelës.
Në javën e ardhshme Trepça do të jetë mysafire e Drenicës, kurse Ferizaj e pret Dritën e Gjilanit.