TREPÇA'89 - LIRIA
Trepça’89 dominoi për fundosje të Lirisë
28 April, 2019 @18:00
Pas 49 ditësh Liria ka shënuar golin e parë të saj në Superligë, që nuk i ka sjellë asgjë pos humbjes minimale ndaj Trepçës’89 të furishme në pjesë të dytë dhe që kërkonte fitoren me çdo kusht.
Ndeshja nisi me një gol të bukur të Orges Gavës nga gjuajtja e lirë, që shënoi prej 16 metrash në portën e Flamur Gashit, që s’kishte ç‘të bëj pas precizitetit të mesfushorit të Trepçës’89, 1-0 (10’).
Më pas duket se Liria u këndell pak dhe tentoi me Fatih Karahodën, Diellor Besenin, derisa në minutën e 39 të ndeshjes pas krosimit të Valon Bytyqit të palodhshëm, Blendi Memaj nga afërsia nguliti topin me kokë në portën e mitrovicasve për të shkuar në pushimin 15 minutësh me 1-1.
E pjesa e dytë e ndeshjes ishte plotësisht e vendasve. Me ekipin e disponuar të Sabit Osmanit për fitore, djelmoshat e skuadrës mitrovicasve bën gjithçka për të arritur fitoren dhe patën plot raste derisa Arb Manaj shënoi nga afëria për fitore 2-1 (62’).
Trepça’89 pati raste edhe me Traoren, Hasan Hysenin e disponuar dhe Engjëll Hotin, por nuk arriti të thellojë fitoren.
Liria me gjasa minimale për të mbijetuar në Superligë në xhiron e radhës i shkon rivalit për mbijetesë që po kalon formë tepër të mirë, Ferizajit.
Ndërsa Trepça’89 i shkon Llapit në Zahir Pajaziti. Këta të fundit janë në lojë për titull kampioni.