KAMPIONI DREJT RËNIES
Turpi i Leicesterit!
6 February, 2017 @13:10
Portier i Leicester Cityt, Kasper Schmeichel, pas humbjes së djeshme nga Manchester United ka thënë se nëse ekipi i tij vazhdon me këto lojëra, do të bie nga Premier Liga.
Mbrojtja e turpshme e titullit kampion, të fituar vjet befasishëm që u përshkrua si arritje më e madhe në futbollin e sotëm, tashmë nga kritikë të ndryshëm shihet si ‘turp’ për Leicesterin.
“Ne jemi kampionë aktual, por sinçerisht tash është situatë e tmerrshme,” ka thënë Schmeichel, shkruan BBC Sport sot.
Ish-mbrojtësi i Anglisë, Phil Neville, duke folë për Match of the Day dje ka thënë: Stinori i kaluar ka qenë përrallor, por tash nëse nuk këndellen, ata do të jenë jashtë Premier Ligës.
Për më tepër Neville ka shtuar:
“Barometër për Leicesterin nuk është stinori i kaluar, por dy stinorë më parë. Në këtë kohë ata kishin 21 pikë dhe ishin në fund të tabelës. Pastaj fituan 7 nga 9 ndeshjet e fundit të stinorit për të shpëtuar. Ata duhet të bëjnë diçka të ngjajshme edhe këtë stinor nëse duan të shpëtojnë.”