ITALIANI KONFIRMON INTERESIMIN E KOSOVËS
Vanoli konfirmon Kosovën, në pritje
31 October, 2017 @20:33
Italani 54 vjeç, Rodolfo Vanoli, ka qenë shumë pak i njohur në opinionin sportiv kosovar për të mos thënë aspak.
Mirëpo, përfolja e tij si përzgjedhës i mundshëm i Kosovës pas largimit të Albert Bunjakit nga detyra, ka bërë që interesimi për të, të shtohet.
Ish-trajneri i të rinjve të Udineses dhe ekipeve si Lugano, Bellinzona e së fundi Koper dhe Olimpija në Slloveni, Vanoli, ka konfirmuar se ka pasur bisedime në lidhje me detyrën e selektorit të përfaqësueses së Kosovës.
“Kam pasur kontakt me njerëz të afërt të Federatës së Futbollit të Kosovës. U kam thënë: po. Jam në dispozicion për një detyrë të tillë, në kushte të caktuara. Kushtet për punë duhet të jenë të caktuara. Do të doja të merrja një aventurë të tillë, që futbollin kosovar ta dërgoj në nivele të rëndësishme,” ka thënë Vanoli, në bisedë me radio TMW-në.
Ai më tej ka bërë të ditur se ka biseduar edhe me Valon Behramin dhe Xherdan Shaqirin për Kosovën, për dinamikat që mund të ketë puna aty, të cilët i kanë thënë se do t’i ndihmojnë Kosovës në një dorë që ajo të tregohet sa më mirë në arenën ndërkombëtare.
Gjatë karrierës së tij si futbollist, Vanoli ka qenë mbrojtës dhe më së shumti paraqitje ka pasur për Leccen gjatë viteve 1984-1989, ku ka numëruar 165 paraqitje, derisa ka luajtur edhe për Udinesen dhe ekipet tjera më pak të njohura. Që nga viti 2001 ai është duke u ushtruar zejen e trajnerit.