CITY - TOTTENHAM
VAR-i vendimtar, Tottenhami ‘shokon’ Cityn!
17 April, 2019 @23:16
Një ndeshje e çmendur u zhvillua sonte në Manchester të Anglisë!
Pas ndeshjes së parë në Londër që u mbyll me vetëm 1 gol të shënuar, ndeshja e sontme prodhoi plot 5 gola për vetëm 21 minuta! Tri herë shënuan vendasit, e dy herë të tjera mysafiët, për ta nisur ndeshjen në një mënyrë që rrallë herë na ndodhë ta shohim!
Më pas, skuadrat ‘u qetësuan’ paksa, dhe gola të tjerë në pjesën e parë më nuk pati, duke bërë që skuadrat të shkonin në pushim pranë rezultat 3-2, rezultat i cili e kualifikonte Tottenhamin në gjysmëfinale.
Në pjesën e dytë, një gol i Agueros na bëri të mendonte që City do të kalonte në gjysmëfinale, pasi që përveç epërsisë dygolëshe, vendasit po e kontrollonin edhe ndeshjen, mirëpo mysafirët nga Londra reaguan për mrekulli.
Ishte spanjolli Llorente ai që e shtyu topin në rrjetën e Cityt për 4-3, një gol ky që u rishikua disa herë me ndihmën e sistemit VAR por me të drejtë u cilësua i rregullt, e këtë rezultat më pas Tottenhami e mbrojti deri në fund, për ta arritur kështu gjysmëfinalen e Champions Leagues.
Në fakt, VAR-i vendimtar nuk u tregua vetëm te goli i Llorentes. Pak minuta para fundit, Sterling i Cityt shënoi për 5-3, rezultat me të cilin City do të kualifikohej, mirëpo për fat të mirë të londinezëve, VAR-i reagoi dhe e anuloi atë gol për pozicion jashtë loje dhe rrjedhimisht Tottenhami, që sonte ishte edhe në mungesë të liderit Harry Kane, u kualifikua tutje në sajë të më shumë golave të shënuara në terrenin kundërshtar.
Në gjysmëfinale, Tottenhami do të përballet me Ajaxin, një duel ky që rrallë kush e kishte parashikuar!