ZEKIRIJA RAMADANI
Varemi nga vetja jonë
8 April, 2019 @19:54
Trajneri i Feronikelit Zekirija Ramadani e di pozitën ku gjendet ekipi i tij shumë mirë. Ramadani që ka një titull kampioni të fituar në Kosovë me Trepçën’89, tash është në rrugë të mirë për të fituar edhe të dytën, por me ekipin e Feronikelit.
“Ne në çdo ndeshje futemi për fitore. Ashtu ishte edhe ndaj Lirisë, që gjithashtu ka presion për shkak të pozitës që ka aktualisht. Kjo bëri që ndeshja në fillim të jetë e baraspeshuar, por me realizimin e dy golave të shpejtë gjërat erdhën në vend dhe ekipi fitoi qetësinë e duhur,” ka thënë fillimisht Ramadani.
Trajneri shkupjan ka lëvduar edhe lojën e Lirisë, përkundër se ekipi i tij i mposhti thellë prizrenasit.
“Në shikim të parë mund t’ju duket ndeshje e lehtë kur e shikoni rezultatin, por nuk ishte ashtu. Liria luftoi dhe na vuri në situata të vështira. Ne varemi nga vetja jonë. Jemi liderë dhe nuk varemi nga askush tjetër. Numri i ndeshjeve po zvogëlohet dhe ne duhet të vazhdojmë kështu deri në fund për të arritur titullin kampion,” ka deklaruar Ramadani pas ndeshjes së sotme, shkruan faqja zyrtare e Feronikelit sot.
Ekipi nga Drenasi 7 xhiro para fundit të stinorit ka 2 pikë më shumë sesa përcjellësi i parë, Prishtina. Nëse gjithçka shkon kaq ngushtë deri në fund të stinorit, dueli final në xhiron e XXXIII të Superligës zhvillohet në Rexhep Rexhepi, ku Feronikeli pret Prishtinën.