KF VËLLAZNIMI
Vëllaznimi jashtë Evropës, edhe nëse e fiton Kupën
19 April, 2018 @17:40
Pas kualifikimit në finalen e Kupës së Kosovës, një lajm aspak i mirë vjen për skuadrën e Vëllaznimit.
Njëjtë sikur skuadra e Besës, e cila edhe pse e fitoi Kupën sezonin e kaluar nuk luajti në Evropë për shkak të problemeve me licensim, edhe Vëllaznimi pritet të ballafaqohet me problemin e njëjtë.
Edhe pse menaxheri për licensim në FFK, Bajram Shala, në një intervistë për Borozani.com dhe në një deklaratë për “Sporti në KTV” deklaroi që Vëllaznimi ka aplikuar për licensim, ndryshe u shpreh Agim Cana, kryetari i klubit gjakovar, i cili e pranoi publikisht se Vëllaznimi nuk ka aplikuar për licensim dhe se edhe në rast të triumfit në Kupë, skuadra gjakovare nuk do të ketë të drejtë të luajë në garat evropiane sezonin që vjen.
“Janë disa gjëra që janë të lëna prapa, prandaj nuk kemi pasur kohë t’i rregullojmë të gjitha dhe mund të them që jemi shumë larg licensimit. Nuk kemi aplikuar dhe kjo është e qartë që na dëmton, si neve, ashtu edhe imazhin e futbollit kosovar. Gjithsesi, në rast se e fitojmë Kupën, do të ishte një kujtim i mirë si një triumf, por nuk na mundëson përfaqësimin në Evropë për shkak të licensimit.” - u shpreh kryetari Agim Cana për “Sporti në KTV”.
Në finale, Vëllaznimi do të përballet me skuadrën e Prishtinës, skuadër kjo që dje e eliminoi Vushtrrinë.