ANALIZAT VERORE
Vera te Manchester City
Shkruan: LUAN MORINA
15 July, 2017 @23:52
Disa transferime të hershme për të hequr gajlet më pak të rëndësishme ndoshta. Ederson në portë, me shpresën që s’do të pësojnë njëjtë sikur me transferimin e Bravos; dhe Bernardo Silva në krah sulmi për të mbuluar një repart tashmë mirë të mbushur me talente si Sane, Sterling e De Bruyne. Në rregull, Sterling nuk është kushedi çfarë talenti, e edhe De Bruyne më shumë është një mesfushor ofensiv, por edhe ky bashkë me Silvan mund të luaj në çdo pozitë që i kërkohet. Silva është kthyer në një Yaya Toure që ka mbuluar çdo pozitë që i është kërkuar vitin e kaluar.
Sidoqoftë, City ka ende nevojë për transferime.
Porta
Hart do të largohet. Bravo do të mbetet për të zëvendësuar Edersonin. Të dy do të jenë nga ata që do të luajnë me këmbë!
Mbrojtja
Është vit i mirë për Guardiolën. Sagna, Zabaleta, Clichy ikin. Stones nuk ka pasur vitin më të mirë të tij, por edhe nuk mund të pritet më shumë nga ai. Ngjashëm edhe Otamendi. Nuk janë klasë e Kompany. Mangala e Denayer mund të ofrojnë zgjidhje të tretë, por në rast se marrin një qendërmbrojtës, të dy këta ikin.
I vetmi krah mbetet Kolarov. Krahët e mbrojtjes së Tottenhamit janë të mundshëm të transferohen, ose Bertrand. Edhe Mendy duket të jetë alternativë e mirë me pazarin e Cityt në Francë.
Mesfusha
Pjesa defensive është e kompletuar. Edhe një krahë sulmi do të kryente punë pos Bernardo Silva. Por, vetëm nëse është diçka i jashtëzakonshëm. Si Alexis Sanchez, apo edhe Aubameyang. Do të ishte ide interesante sjellja e Bale. Manchester City është në mesin e tri ekipeve që do të mund të transferonin atë.
Sulmi
Aguero, Gabriel Jesus. Edhe Bony me Iheanachon janë të mirë për League Cup. E vetmja gjë që nevojitet është shëndeti i këtyre. Për Agueron e dimë se nuk mund të duroj kalendarin anglez. Ngjashëm ka ndodhur edhe me Jesus.
Sidoqoftë, sulmi nuk është primar. Pak a shumë janë të kompletuar si ekip. Vetëm dy krahë mbrojtjeje dhe koha që Pep Guardiola të tregoj prekjen e tij magjike. Pas 400 milionë euro të investuara, ama s’ka lidhje!