ERVIN BULKU
Vetëm fitore
24 March, 2019 @21:56
Në konferencë për shtyp para ndeshjes ndaj Andorrës ka qenë selektori i përkohshëm i Shqipërisë, Ervin Bulku, i cili ka folur për mediat sot.
Bulku do të drejtojë Shqipërinë në përballje ndaj Andorrës që luhet më 25 mars me fillim në ora 20:45, ndërsa ka thënë se kuqezinjëve vetëm fitorja u kryen punë në këtë ndeshje.
“Unë jam pranë skuadrës dhe e njoh mirë grupin, ndaj edhe më takonte të marr një përgjegjësi të tillë, ndonëse jam një trajner i ri. Sfida me Andorrën është shumë e rëndësishme dhe ne duhet të fitojmë nesër, që të mund të mendojmë për objektivin tonë. Eliminatoret sapo kanë filluar dhe kemi humbur vetëm ndeshjen e parë, ndaj të përqendrohemi te sfida e nesërme. Është përgjegjësi e madhe që më është ngarkuar, ndërsa detyra ime është që bashkë me çunat, të bëjmë më të mirën për të fituar ndeshjen ndaj Andorrës. Jemi munduar të harrojmë sa më shpejt atë humbje ndaj Turqisë. Mendoj se gjendja psikologjike është shumë e mirë dhe do të luajmë të bindur në suksesin nesër. Unë jam i ri dhe fati më solli në krye të Shqipërisë, ndaj kam bindjen e plotë te çunat, që nesër do fitojmë dhe unë ta nis me një rezultat pozitiv,” kanë qenë fjalët e Bulkut thënë sot.
Pas humbjes nga Turqia në ndeshjen e parë kualifikuese, Shqipëria është mysafire e Andorrës. Andorra ndeshjen e parë të grupit e humbi gjithashtu, nga Islanda, 0-2. Franca llogaritet favorite e grupit. Kampionët e Botës mposhtën Molldavinë 1-4 në ndeshjen e parë të grupit.