VUSHTRRIA - BESA

Foto: KFVushtrria/fb/ E. Popova
Derbi me 4 gola
3 April, 2019 @16:49
Interesim i madh për ndeshjen në Vushtrri, derisa një pjesë e Ferki Aliut u desh të zbrazej nga gjyqtari kryesor i ndeshjes për të nisur loja.
Në fakt stadiumi sot ishte i stërmbushur në Vushtrri, derisa Vushtrria lidere priste Besën në përballjen derbi të xhiros në Ligë të Parë dhe dy kandidatëve kryesorë për titull dhe Superligë.
Dueli nisi me vonesë, derisa gjyqtari ‘rehatoi’ një pjesë të shikuesve, për të dominuar Vushtrria në fillim dhe humbur një rast ideal me Alban Rexhepin.
Reagimi i Besës, minuta e 15 gol dhe avantazh për pejanët, 0-1. Tentimet tjera të vendasve nuk rrezikuan dhe kështu përfundoi pjesa e parë.
Pjesa e dytë, tundet rrjeta e mysafirëve dhe Alban Rexhepi çon stadiumin në delirium, 1-1 (51’).
Pastaj në skenë doli Labinot Osmani që shënoi për 2-1, e Ferki Aliu u ndez.
Por Besa tregohet klinike. Rasti i ardhshëm, gol 2-2.
Një 2-2 përfundimtare ku vendasit arrijnë së paku një pikë në Vushtrri, karshi një Bese me lojë tepër të mençur.
Në xhiron që vjen, Vushtrria është mysafire Istogut, ndërsa Besa pret 2 Korrikun në Pejë.