DITARI NR. 20 @ EURO2016
Zemër
Shkruan: Luan MORINA
4 July, 2016 @8:37
Në një botë ku Raheem Sterling blihet për 70 milionë euro, e Bastian Schweinsteiger paguhet 15 milionë euro në sezon për të kryer praktikën në fizioterapi, të gjesh dikë që luan futboll me paratë në plan të dytë është mrekulli.
Ne po jetojmë në vitin e mrekullive. Jo në një vit ku dy snobë shtyhen cili po shënon më shumë gola kur dhjetë lojtarë të tjerë punojnë për ta, por në vitin ku të njëmbëdhjetë lojtarët janë të barabartë dhe mbi të gjitha luajnë me zemër për të fituar duke mos kursyer asgjë. Pas Leicester Cityt, radhën e kishte Islanda.
Normale është që të mos mund të maten me Francën, mirëpo asnjë ekip ‘normal’ apo më mirë të them modern s’do të luftonte sikur të ishte rezultati i barabartë dhe minuta e parë e lojës tek rezultati 5-1 dhe minuta 70. Këtë mbrëmë e bënin islandezët. Sikur nuk e dinin ku ishte semafori, apo ndoshta edhe nuk ju interesonte. Luajtën deri në minutën e 92-të, pa marrë parasysh që pjesën më të madhe të lojës ishin katër gola disavantazh. Nuk ranë, nuk u ‘bajëlldisën’ menjëherë tek 0-2, diçka që do të kishte shtrirë për toke dy kampionët e parafundit të botës.
Nuk kishte shpërthime psikike pakënaqësie, nuk kishte nervozë, nuk kishte asgjë negative. Edhe tifozët ishin në nivel, kënaqeshin. Kjo, kjo të bën ta duash një kombëtare, një ekip që luan me zemër. Dhe atë çfarë zemre, çfarë dashurie futbolli. Diçka për tu mbajtur në mend. HUH!
Franca ka gjetur veten. Sot ishin shumë më të mirë me Sissokon më të avancuar, Griezmannin në qendër dhe dy mesfushorë qendror. Umititi ishte më mirë se Rami edhe pse mbrojtja nuk ishte në nivel në topat e ndërprerë. Giroud po tregon diçka të jashtëzakonshme, por edhe besoj momentale. Le të jemi të sinqertë që mbrojtjet e Irlandës e Islandës nuk janë në nivel të Gjermanisë.
E çfarë do të ndodh me gjermanët mbetet të shihet. Do të jetë një gjysmëfinale interesante. Shpresoj më e bukur se dueli i mbrëmshëm i ‘gjigantëve’ evropian.