GJELAT TRIUMFOJNË
Franca bindëse, tash ndaj Gjermanisë
3 July, 2016 @22:31
Franca ka kaluar tepër më lehtë sesa që ka menduar në gjysmëfinale të europianit. Trekolorët kanë mposhtur Islandën me rezultat të thellë dhe bindës, duke shfrytëzuar lartësinë e sulmuesit Olivier Giroud, që ka fituar 9 nga 10 duelet ajrore në zonë të rreptësisë islandeze sonte.
Giroud ka qenë i jashtëzakonshëm sonte, duke shënuar gol të bukur, për hapjen e serisë së golave, ndërsa kur shënoi golin e dytë të tij dhe të pestin e Francës, për 5-1, Didier Deschamps vendosi ta ndërrojë atë, për të shijuar duartrokitjet e publikut në Stade de France.
Islanda bëri luftën e saj të zakonshme. Nuk u tregua e dorëzuar përkundër se pas 45 minutave të para ishte në disavantazh 4-0.
Në fund, me duartrokitje edhe këta u përshëndetën nga europiani historik, ku si debutues arritën te 8 ekipet më të mira të EUROs, duke shënuar kapitull të ri të historisë në futbollin dhe sportin në përgjithësi të këtij vendi.
Franca në gjysmëfinale luan ndaj Gjermanisë. Dy skuadrat janë llogaritur nga bastoret si favorite kryesore për të fituar trofeun e europianit dhe cilado që shkon në finale, do të jetë favorite përballë kundërshtarit që do të vie nga përballja Portugalia-Uellsi.