PAS DËSHTIMIT
Kërkon falje për penalltinë dhe gjestin
3 July, 2016 @19:48
Sulmuesi i Italisë, Graziano Pelle, që mbrëmë bëri një gjest para se të shutojë penalltinë për reprezentacionin e tij dhe dështoi të shënonte, i ka kërkuar falje italianëve sot.
“Më falni. Më vjen keq që përfundoi kështu,” ka thënë Pelle për një gazetar italian në aeroport para se të kthehet në shtëpi, shkruan L’Equipe sot.
Pelle iu referua gjestit me dorë, që simbolizonte ‘panenkën’ para se të shutonte penalltinë.
“Nuk doja të provokoja askë. Thjesht kam dashur që Manuel Neuer të qëndrojë në vend, duke e ditur se është njëri ndër portierët më të mirë në botë dhe është vështirë të shënohet ndaj tij,” ka thënë Pelle më tutje.
Italia u mposht nga Gjermania në çerekfinale të EURO2016, pas ekzekutimit të penalltive. Ndeshja në kohën e rregullt kishte përfunduar me barazim, 1-1.